Kurti: Adresa e parë e krimeve të luftës në Kosovë është Beogradi zyrtar

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë përkujtuar masakrën e Pastaselës së Rahovecit dhe atë të Burimit të Malishevës 25 vjet më vonë, transmeton Anadolu.

Presidentja Osmani në 25-vjetorin e këtyre dy masakrave tha se do të punohet çdo ditë për të kërkuar drejtësi dhe përgjegjësi, derisa shtoi se refuzon që “me kalimin e kohës të zbehet historia e të rënëve”.

“25-vjet më parë, forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë në Pastaselë të Rahovecit vranë dhe masakruan 106 banorë të këtij fshati dhe fshatrave përreth. Në të njëjtën ditë, barbarinë e tij, regjimi kriminal e vazhdoi në Burim të Malishevës, ku u vranë dhe u masakruan 42 civil. Përkundrazi, me vendosmëri dhe përkushtim do të punojmë çdo ditë për ta mbrojtur të vërtetën, për të kërkuar drejtësi dhe përgjegjësi për mizoritë e kryera kundër popullit tonë”, tha Osmani.

Kryeminsitri Kurti, i cili qëndroi gjatë ditës në fshatin Pastasel të Rahovecit ku u mbajt një tubim përkujtimor, tha se këtë vit po bëhen 25 vite prej kur Kosova u çlirua nga Serbia, por tërë stina e pranverës është e mbushur me 25 vjetore të masakrave që Serbia i ka kryer mbi shqiptarët në Kosovë.

Kryeministri Kurti theksoi se adresa e parë e këtyre akuzave për këto krime bashkë me kriminelët e luftës veç e veç është Beogradi zyrtar, me trashëgiminë aq të madhe të përgjegjësisë penale ndërkombëtare dhe të fajit politik të shtetit të Serbisë, që edhe sot e kësaj dite strehon dhe mbron kriminelët e luftës dhe nuk bashkëpunon me drejtësinë për të gjitha krimet dhe masakrat të cilat kanë ndodhur në Kosovë.

Ai tha se jo vetëm historia e masakrës së kryer në Pastasel më 31 mars, por edhe zhvarrosja e trupave tre javë më vonë më 21 prill tregojnë përpjekjen e pushtetit të Serbisë për ta fshehur krimin.

“Masakra e Pastaselit ka dëshmitarë dhe dëshmi, të cilat nuk mund të injorohen dhe të cilat duhet të kthehen në dosje provash për aktakuza për krime lufte. Ky është obligim i ne të gjallëve, për të vrarët, për drejtësinë, për ruajtjen e njerëzores dhe për historinë, sepse ajo që ka ndodhur një herë mund të ndodhë sërish, diku tjetër por mbi shqiptarë. Sepse Serbia e pa penduar natyrisht që nuk ka ndryshuar qëndrim e qëllim”, shtoi ai.

Duke i përmendur dëshmitë e dëshmitarët, Kryeministri Kurti theksoi se çfarë duhet të ndodhë tash është që këto dëshmi Prokuroria në Kosovë t’i kthej në aktakuza.

– Vuçiq: Kurti do t’i shfrytëzojë institucionet e Këshillit të Evropës që të ngrejë padi për krime lufte ndaj Serbisë

Në të njëjtën ditë me përvjetorin e dy masakrave në Kosovë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do t’i shfrytëzojë institucionet e Këshillit të Evropës që të ngrejë padi për krime lufte ndaj Serbisë.

Në kohën kur Kosova po shënon hapa konkret përpara drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës, Vuçiq tha se ka “një plan masiv për presion dhe sulm ndaj popullit serb”.

“Albin Kurti deri tash ka pritur që një shtet tjetër të ngrejë padi për gjenocid ndaj Serbisë, pasi Albin Kurti nuk është vend i njohur ndërkombëtarisht dhe nuk mund të bëjë padi në Gjykatën Ndërkombëtare Penale. Mund të bëjë dikush në emër të tij dhe nuk është e lehtë kjo, është çështje shumë e vështirë politike. Pse po kërcënon tash? Për shkak të Këshillit të Evropës, për shkak të asaj që ia kanë mundësuar Dora Bakoyannis dhe shtetet perëndimore dhe do t’i përdorë institucionet e Këshillit të Evropës për të ngritur padi kundër Serbisë përmes tyre. Është pjesë e një plani masiv për presion dhe sulm ndaj popullit serb, për të cilin kam folur”, tha Vuçiq.

Këtë deklaratë Vuçiq e ka dhënë pas vizitës në aeroportin ushtarak në Batajnicë.

Më 27 mars, Republika e Kosovës e kaloi votimin në Komitetin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Kjo hapi rrugë për votimin e opinionit në sesionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili do të mbahet në Strasburg më 15 prill.

Pas votimit të suksesshëm aty, opinioni do t’i dërgohet Komitetit të Ministrave të cilët duhet të votojnë për anëtarësimin e Kosovës në ministerialin e radhës që do të mbahet në maj të këtij viti. Pranimi në anëtarësimin e Këshillit të Evropës kërkon një shumicë prej dy të tretave të 46 shteteve anëtare.