Kur të ngelet vetëm një gjë për të bërë: ASGJË!

Pika kulminante e lirisë është pikërisht kur njeriu s’ka më asgjë për të humbur. Sa herë dëgjoj ndonjë histori ku dikush humb njerëz të dashur në aksident rrugor ose në rrethana tjera, më kujtohet filmi nga trilogjia epike e Kieslowski “Tri ngjyrat”  (Bluja, E bardha, E kuqja). Te tre filmat ndërlidhen për tu bashkuar në fund te “E kuqja”. Ndërlidhja është mjaft interesante si koncept regjisorial, pasi nëse te “E bardha” dikush hap derën, te “Bluja” e kupton kush ka qenë ai njeri dhe çfarë ka kërkuar.

Duket si panoramë jetësore gjithçka, vetëm se Zoti është një dorë humane, jashtëzakonisht humane si ajo e Kieslowskit. Një njeri pesimist në thelb që kishte shumë dhembshuri për njerëzit, fatet, na jep të bashkëndjejmë me këto përmes filmave të tij. “Tri ngjyrat” erdhën pas filmit “Jeta e dyfishtë e Veronikës”  dhe para vdekjes thuhej se regjisori kishte menduar të vinte në skenë “Ferrin, Purgatorin, Parajsën” nga “Komedia hyjnore” e Dantes.

Filmin që e veçoj nga kjo trilogji është ”Bluja”. 

“Bluja” në qendër ka një personazh femër të quajtur Xhuli dhe mrekullia është se këtë femër e luan Juliette Binoche e cila është e aftë të pasqyrojë një numër të pafund ndjenjash në një vështrim të vetëm, të thellë, në një gjest, në një fjalë të pathënë. Stuhitë e brendshme i reflekton në mënyrën se si ajo lëviz, në buzët e saj, në portretin e saj të zbehtë.

Një film me buxhet shumë të vogël por që ka hyrë në historinë e filmave më të mirë dhe në dhjetë rolet më të mira që ka bërë Julietta e cila në një intervistë thotë: “kur mu propozua ky rol, producenti më tha se nëse nuk pranoj unë ta bëj këtë rol, ky film nuk do të bëhet…”. Sa e varfër do ishte kinematografia dhe jeta jonë pa këtë film shumë shtresor në kuptime dhe nëse Julietta do kishte thënë ” jo” .

Te “Bluja” një familje udhëton me makinë dhe për një moment ndodhë një aksident ku humbet jetën burri dhe djali i Xhulit. Filmi përfaqëson lirinë, më shumë si një koncept emocional sesa si social dhe politik. Xhuli pas tronditjes fillestare dhe përpjekjeve të saj për ta vrarë veten e kupton që jeta është shakaja më e madhe që i ka ndodhur. Duket paradoksale pasi në momentin e aksidentit burri tregonte një shaka dhe jep shpirt duke e përmbyllur atë. Shaka e dhimbshme, “Bluja” është jeta. Pas këtij filmi përjeton një katarzë të thellë duke i menduar të gjitha humbjet që na kanë ardhur në jetë. Xhuli e kupton se askush nuk i përket asaj dhe as ajo askujt. Kishte ndërtuar një jetë me një njeri për vite të tëra e cila u shkrumbua për një çast. Humbi fëmijën dhe ngeli fikall vetëm. Sfida më e rëndë ngelet të vazhdojë, pavarësisht tentimeve për t’i dhënë fund jetës. Xhulit i ngelet vetëm një gjë për të bërë: asgjë! Vendos nëse do të vazhdojë me punën e papërfunduar të të shoqit, një kompozitor i famshëm, të cilit i ishte porositur një vepër për përvjetorin e Bashkimit  Evropian.

Aty i kupton më së miri përmasat e lirisë, kanxhat e saj dhe të zhbëhen për një çast të gjitha traktatet filozogike të Rusos, Volterit, Senekës mbi lirinë.

“Nuk dua më askush të më përkas, asnjë lidhje, dashuria, miqtë… gjithçka është një kurth” është një frazë e Xhulit. Zoti sipas konceptit të Kieslowski na e ka dhënë gjithë atë vullnet të lirë për të zgjedhur dhe na ngre kurthe me të cilat na shpërblen dhe pastaj na dënon. Fati qesh me ne, në ndërkohë që ne bëjmë plane.

“Mund të thuash ‘dua të jem i lirë’, por si ta çlirosh veten nga ndjenjat e tua, nga kujtimet, nga dëshirat e tua? Ndoshta ne nuk mund të funksionojmë pa to, që automatikisht do të thotë se ne nuk jemi të lirë, se jemi të burgosur të emocioneve tona”, thotë Kieslowski. Nuk mund të jesh i lirë nga vetja.

Xhuli pas aksidentit kupton se burri që kishte menduar se ishte vetëm i saj kishte lënë shtatzënë një grua tjetër, fëmija që kishte lindur prej tyre ishte i fatit që s’ishte dhe aq bujar me të. Pasuria e e saj shkon te fëmija që sillte në jetë e dashura e burrit të saj që supozohej gabimisht se lind pa asgjë në trashëgimi. Xhuli fle me mikun e përbashkët që kishin me burrin e ndjerë që e kishte strukur ndjenjën me idenë që është një grua që kurrë s’mund ta ketë. Vepra që burri po kompozonte e përfundon Xhuli. Asgjë nuk është e askujt. Askush nuk i përket askujt.

A duan vërtet njerëzit lirinë, barazinë, vëllazërinë? A nuk është thjesht një mënyrë e të thënit, apo ngelet baza mbi të cilën parullë janë ngritur “Tri ngjyrat” dhe sidomos “Bluja” ku prehet krejt trishtimi dhe e vërteta e jetës?!

Ishte ftesë për parë një film ky shkrim dhe jo një dosido. Një film pas të cilit do të reflektoni e meditoni shumë se çka në të vërtetë është liria dhe sa ne jemi të tillë, ”të lirë” dhe mbi të gjitha a e duam atë lloj lirie.