KUR SHEMBEN SHTETET

Për shkatërrimin e shteteve dhe pasojat tragjike që lidhen me fatkeqësitë që pësojnë njerëzit e pafajshëm, jeta e të cilëve shndërrohet në dhembje e mjerim, janë shkruar mijëra libra. Por, të përmbledhura në një shkrim të shkurtër, si ai i sociologut, filozofit dhe historianit tunizian të shekullit XIV, Ibn Khaldun, të cilin ma dërgoi nëpërmjet çudisë elektronike miku im Refet Abazi, nuk kisha lexuar kurrë.

Kenaqësia e leximit dhe ndjenja e një faji për shkak të njohjes së vonshme të veprave të këtij gjeniu, më nxiti të kërkoj të dhëna për to, prej të cilave mësova se, mes tjerash, është dhe autori i veprës monumentale “Mukaddimah”, që konsiderohet: Njëra ndër kryeveprat e letërsisë së Lindjes së Mesme dhe vepra e parë sociologjike e kësaj pjese të botës, e njohur për veçoritë e saj, për shpëtimin e historisë nga tregimi dhe për dominimin e arsyetimit dhe hetimit të ligjeve të historisë.

Për Ibn Khaldunin thuhet se: E shikoi çështjen e fesë njësoj si një sociolog, një shkencëtar me mendim të lirë. Kontributi i tij në botën e shkencës është i padiskutueshëm edhe sot. Zbulimi dhe përkthimet e veprës në disa gjuhë u pritën me entuziazëm në të gjithë botën.

Kjo është arsyeja përse vendosa të përkthej për lexuesit tanë shkrimin brilant të Ibn Khaldunit, që duket si i shkruar për tragjeditë njerëzore të kohës sonë.

Në shtetet që shkatërrohen rritet numri i astrologëve, shfrytëzuesve të ndihmave sociale, hipokritëve, propagandistëve, analistëve, tregimtarëve, muzikantëve me sjellje të pahijshme, poetëve poltronë të pushteteve, sharlatanëve, daullexhinjëve, budallenjëve, fallxhorëve që lexojnë fatet në pëllëmbët e duarve, spiunëve, lavdëruesve dhe urrejtësve, atyre që enden rugëve dhe atyre që shfrytëzojnë çdo mundësi.

Bien maskat, ngatërrohen gjërat që nuk duhet të ngatërrohen, humbet respekti dhe qeverisja bëhet e keqe. Përzihen domethëniet e fjalëve, e vërteta ngatërrohet me gënjeshtrat, kurse xhihadi me vrasjen.

Kur shkatërrohen shtetet, mbizotëron frika, njerëzit kërkojnë strehë brenda bashkësive, ndodhin gjëra të çuditshme, përhapen thashethemet, miqtë shndërrohen në armiq, kurse armiqtë behen miq, forcohet zëri i padrejtësisë, kurse zëri i të vërtetës dobësohet, dalin në sipërfaqe fytyra të çuditshme, kurse fytyrat e njohura zhduken, ëndrrat rrallohen, e  shpresat vdesin, arsyeja bëhet gjithnjë e më e largët, e fytyrat humbin pamjet e tyre të këndshme.

Zëri i të urtëve humbet në britmat e klerikëve, e hipokritët mburren me përkatësinë.

Të gjithë janë në gjendje gatishmërie dhe pritjeje, qëndrueshmëria shndërrohet në projekte emigrimesh, atdheu shndërrohet në stacion udhëtimesh, vendbanimet në të cilat jetojmë shndërrohen në valixhe, shtëpitë shndërrohen në kujtime, kurse kujtimet shndërrohen në përralla.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.