Kur një budalla ta hap derën

Para do ditësh, Tramp foli në një konferencë shtypi një orëshe në Mar-a-Lago, foli për “Agimin e Epokës së Artë të Amerikës”, në të cilën “Amerika së pari” dhe “Ta bëjmë Amerikën përsëri të madhe”. Ai në fakt po fliste se SHBA mund të bëhet më e madhja në botë për nga territori. Në përgjigje të marrëzive të Putinit lidhur me Ukrainën, Tramp sikur dëshiron të ri vizatojë hartën e Amerikës, që atë ta bëj shumë më të madhe në botë, madje pa asnjë plumb. Falë Putinit që hapi dyert e prishjes së rendit botëror. Ndonjëherë fati vjen kur një budalla ta hap derën. Nëse dëshira e tij realizohet, “Amerika e tij e Madhe” e tij do të kishte një sipërfaqe prej 21,984,276 kilometra katrorë, duke përfshirë Kanadanë dhe Grenlandën. Dhe kjo nuk është më vetëm një ëndërr! Bota nuk është më e njëjta si përpara se Putini të okuponte dhe aneksonte pjesë të Ukrainës.

SHBA kanë këmbëngulur prej kohësh për të blerë Grenlandën nga Danimarka: “Ata duhet të heqin dorë nga Grenlanda sepse ne kemi nevojë për të për sigurinë kombëtare”. “Kjo është për botën e lire, po flas për mbrojtjen e botës së lirë”, tha Tramp. Ai foli edhe për marrjen e Kanalit të Panamasë duke thënë: “Ne ia dhamë Panamasë Kanalin e Panamasë”. Ne nuk ia dhamë Kinës dhe ata e abuzuan me të.

Grenlanda është një vend i madh ishullor, territorialisht pothuajse 50 herë më i madh se vendi ëmë Danimarka, e cila për mbi 200 vjet ka qeverisur një gjigant të tillë, i cili ka vetëm 56,000 banorë (madhësia e një qyteti të vogël). Së shpejti do të ketë një referendum në Grenlandë për pavarësim nga Danimarka. Pas deklaratës së Tramp, kryeministri i Grenlandës Mute Egede reagoi në mënyrë shpërfillëse, por dy ditë më vonë ai ndryshoi mendje dhe tha se Grenlanda ishte “e hapur për lidhje më të ngushta me SHBA”. Sondazhe të shumta tregojnë se shumica e grenlandezëve do të donin të bëheshin amerikanë. Pra, nuk është një problem i madh për ishullin që t’i bashkohet SHBA-së në mënyrë demokratike, por hapja e problemeve me aleatin e saj shumë të ngushtë – Danimarkën. Dorë në zemër, gjatë Luftës së Dytë Botërore, Danimarka ia dha Grenlandën Shteteve të Bashkuara për administrim ushtarak, sepse ajo vetë ishte e pushtuar nga Gjermania. Që atëherë, ka pasur një bazë të fortë ushtarake amerikane në Grenlandë.

“Mendoni Grenlandën si një derë të hapur frigoriferi ose një termostat për ngrohjen globale, e njëherit që është një rajon që po ngrohet katër herë më shpejt se pjesa tjetër e botës,” thotë shkencëtari klimatik David Holland nga Universiteti i Nju Jorkut. Atje ka minerale të rralla me vlerë të madhe për telekomunikacione, shumë uranium, miliarda fuçi nafte të pashfrytëzuara dhe sasi të mëdha gazi natyror. Ishulli më i madh në botë besohet të ketë 25 nga 34 mineralet e rralla të nevojshme për një tranzicion të gjelbër drejt energjisë së pastër. Për më tepër, atje ka aq shumë akull saqë nëse do shkrihej, nivelet e detit do të rriteshin për 7.4 metra, gjë që, si një skenar i filmit kataklik të Hollivudit, do të përmbyste përgjithmonë mbi 60 për qind të qyteteve bregdetare në mbarë botën, thotë Eric Rignot nga Universiteti i Kaliforni. Duket se danezët tashmë e kanë kuptuar se nuk mund të menaxhojnë më një përbindësh 50 herë më të madh se patroni.

Pika e dytë e deklaratës për shtyp të Tramp ishtë pranimi i Kanadasë në Shtetet e Bashkuara si shteti i saj i 51-të. Dhe këtu Trump do të nominonte gjerësisht të kampionin e hokejit Wayne Gretzky për guvernator të Kanadasë. “Kanadaja nga SHBA do të subvencionohej në shumën prej rreth 200 miliardë dollarë në vit, plus shumë gjëra të tjera. Ata në thelb nuk kanë ushtri. Ata kanë një ushtri shumë të vogël. Ata mbështeten në ushtrinë tonë,” tha Tramp.

Por kjo detyrë nuk është aspak e lehtë sepse Kanadaja, si shteti i dytë më i madh në botë për nga territori, ka vetë një sistem federal dhe për më tepër, ajo është formalisht një monarki kushtetuese (Mbreti Charles III është monarku formal i saj – si shef shteti). Pastaj, opsioni i majtë atje udhëheq qeverinë. Madje, shumë kombe brenda dhe posaçërisht provinca frankofone e Kebekut do ta kundërshtonin më së shumti idenë e Tramp-it. Kanadezët janë mësuar me realitetin e tyre “me shumë ngjyra”, dhe kështu kanë krijuar kombin e tyre, dhe ata nuk pranojnë lehtë që realiteti i tyre të shkatërrohet. Këtu, ideja e Tramp-it është ose një marketing i pastër ose nja shaka cullake! Megjithatë, duhet marrë ende parasysh shpejtësia e rënies së rendit ekzistues botëror. Ajo që ishte e paimagjinueshme vetëm tre vjet më parë, tani është e mundur. Tani kufiri midis çmendurisë dhe gjenialitetit është plotësisht i mjegulluar.

Ndryshe, Kanadaja është e lidhur ngushtë me Shtetet e Bashkuara në tregti, pasi rreth 80 për qind e tregtisë së saj zhvillohet me fqinjin e saj të vetëm – Shtetet e Bashkuara, në përputhje me NAFTA (North-American Free Trade Agreement – Marrëveshja e Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut), ku bën pjesë edhe Meksika. Amerikanët dhe kanadezët udhëtojnë nga një vend në tjetrin pa pasaportë. Rreth 3/4 e popullsisë së Kanadasë jeton përreth 150 km nga kufiri amerikan, që ka bërë natyrale lidhjen e tyre.

Sa i përket Kanalit të Panamasë, ai u hap nga amerikanët në vitin 1903 pas shumë vitesh punë të rraskapitur, me shumë financa dhe me shumë viktima nga malaria. Më parë, francezët e filluan, por brenda pak vitesh ata falimentuan. Meqenëse marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Panamasë ishin shumë miqësore në atë kohë (sepse Shtetet e Bashkuara e kishin ndihmuar atë të fitonte pavarësinë nga Bolivia), Panamaja i dha Shteteve të Bashkuara kanalin në menaxhim të përhershëm. Kështu mbeti derisa presidenti amerikan Jimmy Carter ia dorëzoi Panamasë, me detyrimin që kanali të mbetet përgjithmonë neutral për lundrimin e përgjithshëm. Por tani Panamaja ka nënshkruar një marrëveshje me Kinën për të dhënë me koncesion shërbime të caktuara, e cila i jep të drejtën Shteteve të Bashkuara të konkludojnë se marrëveshja është shkelur dhe, nëse është e mundur, të shkojnë për të marrë përsipër menaxhimin e kanalit. Nëse nuk merrni atë që dëshironi, do të dëshironi atë që merrni. Ish-këshilltari i Tramp për sigurinë kombëtare, Robert O’Brien, thotë: “Ne i duam panamezët. Ata janë njerëz të mirë. Ata janë miq të Amerikës. Megjithatë portet në të dy skajet e kanalit ua dhanë kinezëve! E ndërtuam, e paguam dhe e operuam për shumë vite. Dhe më pas, në një akt bujarie, që ndoshta ishte marrëzi, Jimmy Carter ua ktheu kanalin panamezëve. Ishte një dhuratë falas,” – tha ai.

Presidenti panamez Jose Mulino ka refuzuar me vendosmëri kërkesën e Tramp për të kthyer kontrollin amerikan mbi Kanalin e Panamasë. Por, kjo është e vështirë për t’u përballuar nga mendja e Tramp-it. Koha dhe e ardhmja e afërt do të tregojnë se çfarë do të ndodhë me kanalin. Sekretari amerikan i Mbrojtjes tashmë ka deklaruar se paqja ndonjëherë duhet do të vendoset me forcë!

Se çështja është jashtëzakonisht serioze, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte, duke folur për herë të parë para komisioneve të punëve të jashtme dhe mbrojtjes të Parlamentit Evropian, deklaroi se Evropa nuk mund të lejojë që të ndahet nga Shtetet e Bashkuara në fushën e mbrojtjes. Rutte u tha eurodeputetëve se, aktualisht, SHBA paguan rreth 60 për qind të të gjitha kostove të NATO-s dhe pa Shtetet e Bashkuara, evropianët do të duhej të rrisin shpenzimet e mbrojtjes katërfish.

Nuk ka asgjë të veçantë për Gjirin e Meksikës, përveç emrit, megjithëse gjiri është dy herë më i lidhur me bregdetin amerikan sesa me atë meksikan. Kjo në thelb nuk ndryshon asgjë, sepse këtu zbatohen rregullat e Konventës për të Drejtën e Detit (1982), e cila përcakton saktësisht se çfarë është një det territorial, çfarë është një brez epikontinental, çfarë është deti i hapur etj. Prandaj, nuk ka asnjë problem që asnjë vend ta quajë gjirin si të dojë, por në thelb nuk ndryshon asgjë.

Cili është mesazhi i gjithë kësaj?

Disa analistë besojnë se gjithçka që po promovohet tani, para fillimit të negociatave për Ukrainën (të cilat Tramp do t’i përfundonte brenda 24 orësh), synon që Tramp të kënaqë publikun e tij – se edhe pse ne nuk kemi mundësinë për t’i rikthyer të gjitha territoret e pushtuara të Ukrainës, pikërisht për shkak të kësaj marrëzie të Putin, ne do të fitojmë mbi 500 herë më shumë territor pa luftë se sa që fitoi Putini me një luftë të përgjakshme trevjeçare. Në fund të fundit, është fare e qartë për çdo person se Putini nuk e filloi luftën për territore, sepse Rusia nuk di çfarë të bëjë me territorin e saj, e cila është mbi 50 për qind plotësisht i pabanuar dhe për të cilin kinezët ëndërrojnë fshehurazi për ta përvetësuar. Ka të ngjarë që ajo të jetë cunami i ardhshëm global që pritet të ndodhë rreth mesit të shekullit.

Të tjerë janë të mendimit se Traump është shumë i lumtur që është gjetur një tjetër “budalla” apo fajtor për të shkatërruar rendin ekzistues botëror tashmë të kapërcyer, diçka që vetë Shtetet e Bashkuara e dëshironin fshehurazi! “Duket se njerëzimi e ka çliruar të keqen nga kutia e Pandorës”, tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres. Për rendin e ardhshëm botëror, nëse krijohet fare, paqja, bashkëpunimi, përparimi dhe të drejtat e njeriut nuk do të jenë më kaq parësore, por burimet me çdo kusht, teknologjia, supremacia ekonomike, mineralet e rralla, kontrolli i kanaleve ndërkombëtare të transportit, ngushticat, tregjet, gjeopolitika, uji etj. Jo rastësisht kinezët filluan të parët me “Roud and Shelf”!

Duket se bota tani i ngjan vitit fatkeq të 1939-ës, pas të cilit bota pagoi një çmim shumë të rëndë. pesëdhjet milionë të vrarë, tre herë më shumë të invalidizuar, familje dhe shtëpi të shkatërruara, varfëri! Pra, le të ndalojmë së përkëdhelurit me populistët e sëmurë si Orbani, i cili prej 15 vitesh nuk është larguar nga pushteti, duke shkatërruar themelet e demokracisë. Hungarezët duket se e kuptojnë se nuk mund të mposhtni një budalla që nuk dorëzohet kurrë. Ai u ka bërë përshtypje shumë autokratëve të sëmurë të krahut të djathtë, idhulli i të cilëve është Putini i majtë. Të tillë pos Orbanit janë Robert Fico, Herbert Kickl, Aleksandar Vucic etj. Pot, “pika e strumbullarit” e rrymave autokratike gjithnjë e më të fuqishme në Evropë është Hungaria nën udhëheqjen e Viktor Orban. Orban ka marrë prej kohësh rolin e agjentit kryesor të ndikimit rus në BE. Ai shpesh udhëtoi në Moskë si i vetëshpallur i dërguar i paqes te Putini dhe vinte veton në ndihmat e BE-së për Ukrainën.

Në shumë politikanë, memorja për të kujtuar të keqen e kaluar është më pak e zhvilluar sesa te kafshët. Evropa tashmë ka filluar të veprojë pa busull, me populistë të ndryshëm në rritje me ide dhe synime të errëta. Për shumë njerëz, ndërgjegjja është bërë si një hije, e cila ju ndjek ndërsa dielli shkëlqen dhe ai ikë prej jush sapo errësohet! Erdhëm edhe te satelitët privatë. Ata që kanë satelitë privatë do të donin të kishin edhe popuj privat, shtete private, madje edhe një botë private! Për shkak të tillëve, jeta është bërë ose një dënim ose një dhuratë nga fati!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.