Kundërspin: Komisioni Evropian nuk e lavdëroi Komunën e Tetovës për mjedisin siç pretendon komuna 

Komuna e Tetovës nuk e thotë të vërtetën në postimin e tyre ku theksojnë se është vlerësuar pozitivisht nga Komisioni Evropian për shtimin e sipërfaqeve të gjelbra, përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe krijimin e një mjedisi më të shëndetshëm për qytetarët.  Në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut, Komuna e Tetovës përmendet vetëm një herë edhe atë për përfundimin e kadastrës së ndotjes së ajrit, pa asnjë vlerësim apo lavdërim për politikat mjedisore, shkruan Portalb.mk. Tetova ka vazhdimisht ajër të ndotur dhe nuk ka park e as hapsira të gjelbra për t’u lavdëruar.

Spin: “Komisioni Evropian ka vlerësuar shumë pozitivisht komunën e Tetovës, si rezultat i shtimit të sipërfaqeve të gjelbra, përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe krijimin e një mjedisi më të shëndetshëm për qytetarët. Ky vlerësim i Komisionit Evropian që tashmë ka vendosur edhe Tetovën, në regjistrin e kadastrës së gjelbër flet për punën dhe përkushtimin e vazhdueshëm të komunës së Tetovës, për një zhvillim të qëndrueshëm, përmirësim të mjedisit, krijimit të hapësirave të gjelbra dhe ruajtjen e mjedisit”.

(Burimi: Komuna e Tetovës – faqja në Facebook, 12.11.2025

Foto: Printscreen nga faqja në Facebook e Komunës së Tetovës
Foto: Printscreen nga faqja në Facebook e Komunës së Tetovës

Kundërspin: Nuk mund të thuhet se politikat e gjelbra dhe cilësia e ajrit kanë qenë prioritet për autoritetet komunale të Tetovës, jo këtë vit por as edhe vitet e kaluara.

Kujtojmë se viti 2025 filloi me ndotje enorme të ajrit në Tetovë. Ky qytet shpesh është gjendur në top listat botërore për nga ndotja e ajrit.

Që problemi nuk po zgjidhet me vite, këtë e tregojnë shifrat e ndotjes, të cilat çdo vit gjatë muajve nëntor, dhjetor, janar dhe shkurt arrijnë kulmin.

Në programin e kaluar zgjedhor të kryetarit të Komunës së Tetovës Bilall Kasamit, me të cilin ai erdhi në krye të komunës, u parapanë disa masa për ruajtjen e natyrës dhe të mjedisit. Megjithatë, përveç disa aktiviteteve simbolike, shumica e këtyre premtimeve nuk u përmbushën.

Gjithashtu kujtojmë se ndonëse Tetova është një nga qytetet më të mëdha në vend, nuk ka park të qytetit. Pavarësisht se nuk ka park të qytetit, edhe ata pak parqe të vogla që janë, shpesh nuk mirëmbahen si duhet.

Para tre viteve, në vitin 2022 u hodhën dy ide për krijimin e parkut të qytetit. Megjithatë, asnjëra nga këto dy ide ende nuk është implementuar në terren, një nga arsyet është se Tetova ende nuk ka plan gjeneral urbanistik.

Pra, nuk është e rastësishme se në asnjë pjesë të raportit nuk përmendet se Komuna e Tetovës ka shtuar sipërfaqet e gjelbra, ka përmirësuar cilësinë e ajrit apo ka krijuar mjedis më të shëndetshëm për qytetarët.

Raporti e përmend Tetovën vetëm një herë edhe atë për përfundimin e kadastrës së ndotjes së ajrit dhe jo ashtu si e përshkruan Komuna e Tetovës në postimin e tyre, pa asnjë vlerësim apo lavdërim për politikat mjedisore.

“Janë përfunduar kadastret e ndotjes së ajrit për 10 komuna: Kërçovë, Prilep, Shtip, Kavadar, Koçan, Gjevgjeli, Veles, Strugë, Tetovë dhe Gostivar, ndërsa pritet të përfundojnë kadastret për shtatë komuna të tjera: Strumicë, Manastir, Probishtip, Kriva Pallankë, Dellçevë, Dibër dhe Sveti Nikollë”,  shkruan në raport.

(Burimi: Raporti i Progresit i Komisionit Evropian për RMV-në, 04.11.2025

 

Statistikat nga ndotja e ajrit në Tetovë.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk