Kuleba: Ukraina në NATO, zgjidhja më e mirë për sigurinë euro-atlantike
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba tha se duhet të përshpejtohen dorëzimet e pajisjeve ushtarake që i janë premtuar vendit të tij dhe se anëtarësimi në planin afatgjatë të Ukrainës në NATO është zgjidhja më e mirë për sigurinë e rajonit, transmeton Anadolu.
Para Takimit të Ministrave të Jashtëm të NATO-s në Bruksel, Kuleba dha një deklaratë të përbashkët për media me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.
Kuleba uroi 74-përvjetorin e NATO-s dhe tha se pret rezultate pozitive nga takimi i formatit të Komisionit NATO-Ukrainë i cili do të mbahet në margjinat e takimit të ministrave të Jashtëm.
“Kam ardhur në NATO për të përshpejtuar dorëzimet e premtuara për Ukrainën, kryesisht municione artilerie, automjete të blinduara, transportues i blinduar për personelin”, tha Kuleba.
Ai tha se dëshiron të bisedojë për planet strategjike që do të sigurojnë vazhdimin e mbështetjes që do të jepet për vendin e tij. “Anëtarësimi i Finlandës në NATO, është mesazh i hapur se ka ardhur koha që të rishikohen të gjitha konceptet dhe perceptimet strategjike. Nuk ka zgjidhje më të mirë për sigurinë euro-atlantike sesa anëtarësimi përfundimtar i Ukrainës”, shtoi Kuleba.
Stoltenberg tha se mirëpret planet e aleatëve dhe partnerëve të NATO-s për t’i dorëzuar Ukrainës automjete të blinduara dhe tanke moderne luftarake dhe se si të vazhdojnë të rrisin më tej mbështetjen emergjente për Ukrainën. “Pres me padurim të diskutojmë se si mund të zhvillojmë një program më afatgjatë mes aleatëve”, theksoi Stoltenberg.