Kryeministrja daneze u sulmua në mes të kryeqytetit

Kryeministrja daneze Mette Frederiksen është sulmuar të premten nga një burrë në Kopenhagë, transmeton Portalb.mk.

Nga zyra e kryeministres përmes një njoftimi për CNN thanë se “Frederiksen u godit nga një burrë të premten në mbrëmje në Kultorvet (shesh publik) në Kopenhagë”.

Nga atje shtuan se Frederiksen “është e tronditur nga incidenti” dhe nuk kishte asnjë koment të mëtejshëm.

Gjithashtu është konfirmuar se sulmuesi është arrestuar nga policia daneze.

Ende është e paqartë nëse kryeministrja ka pësuar lëndime nga sulmi.

Për këtë rast kanë reaguar politikanë të ndryshëm nga Danimarka në mbështetje të Frederiksen duke theksuar se dhuna nuk i përket demokracisë.

Reagime pati nga kryesia e Bashkimit Evropian.

“Unë e dënoj fuqishëm këtë akt frikacak agresioni”, tha kryetari i Këshillit të BE-së Charles Michel.

“Sulmi i sotshëm ndaj kryeministres daneze është i tmerrshëm. Dhuna nuk ka vend në politikë”, tha kryetarja e Parlamentit të BE-së Roberta Metsola.

“E dënoj këtë akt të neveritshëm që bie ndesh me gjithçka që ne besojmë dhe luftojmë në Evropë”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Usula von der Leyen.

Kanë reaguar edhe politikanë të tjerë nga shtetet e Evropës dhe jo vetëm.

Kujtojmë që para tre javëve  kryeministri i Sllovakisë Robert Fico u plagos rëndë në një atentat.