KRITICIZMI SOCIAL (I)

kundër “Republikës së Poltronizmit”

“Sistemet që nuk kritikohen kalben, kurse njerëzit që nuk kritikohen hyjnizohen

C.Isler

Një thënie shumë domethënëse rreth kritikës, me ngjyrime të jashtëzakonshme filozofike, por edhe me dimension sociologjik. Po çfarë në fakt është kritika ndaj të cilës ne si mendësi kemi një distancë goxha të madhe, ndaj të cilës kemi një animozitet: e kuptojmë si fundi i botës për veten apo për entitetin që përfaqësojmë. Këtë e themi nga përvoja, jo hamendësisht. Shqiptarin po e kritikove edhe me qëllim të mirë, rrudh fytyrën, “e regjistron” sikur e ke vrarë. Në njërin nga librat tanë lidhur me fraksionet religjioze ndër shqiptarë – të botuar para disa viteve – patëm përmendur edhe një qark të këtushëm, duke zbërthyer frymën, bëtëkuptimin e tij në bazë të hartës globale të rrymave fetare.

Dhe ç’ndodhi? Lidershipi i ngushtë i “OJQ-së moniste”, pasi e kishin lexuar pjesën gjegjëse, kërkuan nga ne që t’i rishkruanim ato paragrafe a fjali, sipas diktatit të tyre, gjë që natyrisht nuk pranuam, madje u thamë se 50 kopje i kanë gratis po deshën t’i djegin n’shesh. Ndërkohë para disa viteve për dy shkrime publike (portalb.mk dhe al Jazeera Balkans), kemi qenë të kërcënuar nga elitat tona të spektrumit politik dhe fetar vetëm pse folëm pa doreza për shkarjet e tyre.

Kritika nënkupton të dhënit e një opinioni, qëndrim apo gjykim lidhur me një çështje apo fenomen, ndërsa kritiku është një person që mendon vetë, që s’e ka dhënë trurin, mendjen dhe zemrën me qera. Kriticizmi është studim i një subjekti ose teme që ka elemente të interpretimit, vlerësimit, gjykimit, të opinioneve dhe elaborimit sistematik. Kriticizmi social është ekzaminim dhe kritikim i shoqërisë dhe institucioneve të saj, detektim i problemeve sociale dhe gjenerim i zgjidhjeve të mundshme për të tejkaluar fenomenin dhe gjendjen turbulente; është analizë dhe kritikë e normave, praktikave dhe çështjeve shoqërore.

Kriticizmi social ka qenë prezent ndër shekuj, ka luajtur rol në lëvizje të shumta sociale dhe më gjerë. Profetët e librave të shenjtë kanë qenë kritikët socialë klasikë. Sikur mos të ishin Luther-i dhe Calvin-i nuk do të ekzistonte protestantizmi, gjegjësisht reformat që shkaktuan ndryshuan kursin e shoqërisë perëndimore. Kriticizmi social lidhet edhe me literaturën që adreson çështje të jetës reale, pra me probleme politike, sociale, fetare, ekonomike, ekologjike, juridike e të ngjashme. (bartleby.com)

Mund të shprehet përmes shkrimit, show-ve televizive, fjalimeve, filmave, librave, karikaturave të cilat përmes animalizimit dhe deformimit të figurave publike (Daumier, “Garganuta”, 1931) shpesh kanë mbetur mes artit dhe kriticizmit social. Libri i George Orvellit, Ferma e kafshëve (1945) ekspozon dështimin dhe hipokrizinë e stalinizmit në Bashkimin Sovjetik. Saharov dhe Sollzhencin njihen si disidentë me famë. Gretha Thunberg aktiviste klimatreike ka bërë nam me protestat e saj qysh si 15-vjeçare për të mirën e globit, të njohura si Skolstrejk för Klimatet (Greva shkollore për klimë).

Kriticizmi social mund marrë edhe formën e padëgjueshmërisë qytetare. Shembuj tipikë janë Gandi, Mandella, kurse ndër ne aii Rugovës i cili me stilin e vet të komunikimit dhe dukjes sfidoi një shtet që dukej i palëkundshëm. Në Tetovë një OJQ vendore e mbështetur nga aktorë të tjerë, me aktivizmin e vet arriti të shpëtojë një rajon të tërë nga ndotja masovike prej një gjiganti industrial që prodhonte “vdekje të ngadalshme”. /vazhdon/

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.