Kremlini nuk ka gjasa t’i ofrojë ndihmë Iranit
Që kur Izraeli nisi sulmet e tij ndaj infrastrukturës bërthamore të Iranit, presidenti rus Vladimir Putin ka qenë në kontakt me udhëheqësit botërorë në lidhje me konfliktin. Menjëherë pas fillimit të sulmeve ndaj Izraelit të premten e kaluar (13 qershor), Putin foli si me presidentin iranian Masud Pezeshkian ashtu edhe me kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu, transmeton Portalb.mk.
Përmes një kumtese Kremlini tha se “udhëheqësi rus shpreh ngushëllime udhëheqjes dhe popullit të Iranit për numrin e madh të viktimave njerëzore” dhe theksoi se Rusia dënon veprimet e Izraelit, të cilat u kryen në shkelje të Kartës së OKB-së dhe ligjit ndërkombëtar”.
Putin e dënoi përsëri operacionin e Izraelit edhe në një telefonatë me presidentin e SHBA-së Donald Trump, i cili është një mbështetës i Netanjahut.
Megjithatë, pavarësisht aleancës së thelluar të Rusisë me Iranin, Kremlini nuk ka gjasa t’i ofrojë ndihmë ushtarake partnerit të tij strategjik.
Analistja e Lindjes së Mesme, Mariana Belenkaja, e cila u largua nga Rusia pas shpërthimit të luftës në Ukrainë dhe tani jeton në Izrael, beson se është shumë e pamundur që Moska t’i ofrojë Iranit ndonjë mbështetje të drejtpërdrejtë ushtarake, të paktën jo në një kapacitet zyrtar apo publik.
“Nuk ka nevojë, veçanërisht pasi ai po përpiqet të rivendosë ose përmirësojë marrëdhëniet me Uashingtonin, megjithëse disa përfshirje prapa skenave nuk mund të përjashtohen plotësisht”, beson Belenkaja.