Kovaçevski – Scholz: Maqedonia e Veriut i përket BE-së, Gjermania është partneri ynë në rrugën evropiane

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në kuadër të vizitës zyrtare në Republikën Federale të Gjermanisë, realizoi takim me kancelarin gjerman Olaf Scholz. Kryeministri shprehu mirënjohje për mikpritjen e përzemërt dhe mundësinë për të folur për qëndrimet e Maqedonisë së Veriut në procesin e integrimeve evropiane. Në takim u konstatua se dialogu i intensifikuar politik në nivelin më të lartë në vitet e fundit flet më së miri për miqësinë dhe partneritetin mes dy vendeve, transmeton Portalb.mk.

Gjatë bisedës u theksua se Republika e Maqedonisë së Veriut mbetet partner konstruktiv i Aleancës në përgjigjen ndaj agresionit rus. Kovaçevski dhe Scholz konfirmuan angazhimet e tyre të përbashkëta si partnerë të besueshëm në NATO dhe mirëpritën bashkëpunimin ndërmjet shteteve si pjesë e OSBE-së. Maqedonia e Veriut vlerëson lart mbështetjen që mori nga Republika Federale e Gjermanisë për kryesimin nga Maqedonia të OSBE-së këtë vit.

Kryeministri Kovacevski dhe kancelari Scholz folën për rëndësinë e përkushtimit maksimal të Gjermanisë për forcimin e perspektivës evropiane të rajonit tonë, e cila do të sigurojë stabilitet dhe zhvillim të Ballkanit Perëndimor.

Në takim u theksua se Maqedonia e Veriut dhe Gjermania kanë bashkëpunim jashtëzakonisht të lartë ekonomik dhe tradicionalisht ky vend është partneri i parë tregtar i Maqedonisë së Veriut, me një numër të madh të investimeve direkte të kompanive gjermane në vend.

Pas takimit tet-a-tete, u mbajt takim bilateral dhe darkë për të dy delegacionet, të udhëhequra nga Kovacevski dhe Scholz. Në takimin dypalësh morën pjesë zëvendëskryeministri për Integrime Evropiane Bojan Mariçiq dhe Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani nga Maqedonia e Veriut. Në takim u shpreh shpresa për integrim sa më të shpejtë të Maqedonisë së Veriut në BE dhe hapje sa më të shpejtë të kapitujve për vendin tonë.

Në takim, kryeministri Kovaçevski theksoi se i është mirënjohës popullit gjerman dhe Bundestagut për Rezolutën e miratuar, e cila është një hap konkret dhe shumë i rëndësishëm i iniciuar nga Gjermania dhe do të jetë me rëndësi kyçe në përparimin e Maqedonisë së Veriut në procesin e negociatave me BE-në.

Gjermania mbetet e përkushtuar ndaj procesit të zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe jep inkurajim në hapat e mëtejshëm për t’iu afruar Unionit.

Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila deri në realizimin e takimit të liderëve kishte qëndrim të betonizuar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.