Komuna e Tetovës do të shpërblejë qytetarët të cilët do fotografojnë sjelljen e qenve nga qytetet tjera, nuk treguan si

Komuna e Tetovës njoftoi se do të shpërblejë ata persona që sjellin prova (fotografi ose video) të individëve që lëshojnë qen endacakë në qytet, raporton Portalb.mk.

Megjithatë komuna nuk ka sqaruar se si do të shpërblehen këta qytetarë, në konferencën e sotme për shtyp mediat nuk u ftuan.

Nga Komuna thonë se ende ka raste të qenve endacakë që sillen nga qytete dhe rajone tjera drejt Tetovës.

“Personat që kapen duke kryer këtë veprim do të ndëshkohen në përputhje me ligjin”, tha Besarta Ramadani, zëdhënëse e komunës.

Ajo informoi mes tjerash se në periudhën e fundit, kemi kapur dhe trajtuar mbi 100 qen endacakë.

Ramadani tha se deri më 1 tetor, janë kapur dhe trajtuar gjithsej 95 qen, nga të cilët 10 janë adoptuar nga qytetarë të cilët kanë qenë të gatshëm për t’u kujdesur për ta.

“Në 5 raste është diagnostikuar leishmanioza, për të cilën, qentë përkatës janë eutanizuar. Ndërkohë, 60 qen janë kthyer në habitatin e tyre pas trajtimeve të nevojshme, dhe aktualisht kemi 20 qen që po strehohen në qendrat tona”, tha Ramadani.

Strehimorja për qentë endacakë në fshatin Ratajë u hap në fund të muajit korrik 2024 si zgjidhje e problemit me qentë në Tetovë.

Ndërkaq po në muajin korrik 2024, Komuna e Tetovës miratoi udhëzues për përcaktimin e rregullave dhe mënyrën e kompensimit (pagesës) të dëmit të shkaktuar nga kafshimi i qenve endacak.

Nga fillimi i këtij viti në Tetovë janë raportuar mbi 50 raste të sulmeve nga qentë endacakë.

Ndërsa vitin e kaluar (2023) në Tetovë u regjistruan 73 raste të kafshimeve nga qentë endacakë.