Komuna do të ndajë 3 milionë denarë për qytetarët që pësuan nga reshjet e fundit në Butel

Qytetarët e komunës së Butelit do të marrin dëmshpërblim për kompensimin e problemeve që ju kanë ndodhur si rezultat i përkeqësimit të motit në javën e kaluar, transmeton Portalb.mk.

“Ju informojmë se sot, me propozim të kryetarit Darko Kostovski, Këshilli i Komunës së Butelit, njëzëri ka marrë vendim për ndihmën në vlerë prej 3 milionë denarë për qytetarët që u dëmtuan nga koha jo e mirë në komunën e Butelit”, njoftoi Komuna e Butelit.

Komuna sqaroi që këto mjete vijnë nga buxheti komunal, ndërsa në kuadër të shpërndarjes së tyre do të bëhet formimi i komisionit për vlerësimin e dëmeve. Ata sqaruan se së shpejti do të bëhet e publike procedura për konfirmim e dëmeve.

“Para disa ditëve, komuna e Butelit ishte e përfshirë nga moti i përkeqësuar ku pati reshje të rrëmbyeshme, ndërsa shumë qytetarë kanë pësuar në shtëpitë e tyre”, deklaroi Kostovski, duke paralajmëruar që së shpejti do të bëhet publike Thirrja për qytetarët që të paraqesin dëmet e shkaktuara.

Të gjithë qytetarët e Komunës së Tetovës që kanë pësuar dëme në prona dhe bujqësi nga reshjet dhe stuhia, deri të premten (7 korrik) mund të paraqesin kërkesë për dëmshpërblim në komunë. Komuna e Likovës gjithashtu ka premtuar ndihmë për qytetarët që e pësuan nga reshjet.

Kujtojmë që javën e kaluar Tetova, Shkupi dhe Kumanova u kapluan nga reshjet e dendura, stuhia dhe breshëri, të cilat shkaktuan përmbytje dhe dëme të mëdha në pronat e qytetarëve, bujqësi dhe të tjera. Kompensim për dëmet në bujqësi ka premtuar edhe ministri i Bujqësisë, Cvetan Trupunovski pas vizitës së disa pjesëve të dëmtuara në Tetovë.