Komisioni historik RMV-Bullgari: Më mirë të jetë apo të mos jetë?
Erdhën, u panë, u njohën. Kështu ka kaluar takimi i djeshëm në Shkup ndërmjet ekipeve maqedonase dhe bullgare nga Komisioni i Përbashkët Multidisiplinar i Ekspertëve për Çështje Historike dhe Arsimore, i cili u mbajt në ambientet e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, raporton DW, përcjell Portalb.mk.
Temat e takimit të djeshëm kanë qenë çështjet protokollare dhe teknike dhe diskutimi për parimet e punës, me qenë se ky ishte takimi i parë pasi ekipi nga Maqedonia në këtë Komision pati ndryshim në përbërje. Natyrën e takimit e ka përshkruar vetë presidenti i ekipit bullgar dhe bashkëkryetar i Komisionit, Angell Dimitrov.
“Ne flasim më shumë për çështje teknike, protokollare dhe të përgjithshme”, deklaroi ai. Për momentin nuk ka qëndrim për përbërjen e re të palës maqedonase të Komisionit.
“Le të kalojnë dy-tri takime”, tha ai.
Qeveria në fillim të shtatorit i emëroi anëtarët e rinj të Komisionit dhe për bashkëkryetar emëroi profesorin Vanço Gjorgjiev, i cili për një kohë ishte anëtar edhe në përbërjen e mëparshme.
Pavarësisht ndryshimeve në përbërjen e anëtarëve të Komisionit, nga pala bullgare edhe më parë kishte kritika për pak ose aspak progres në punën e tij. Deri më tani, Komisioni ka miratuar rekomandime për përkujtim të përbashkët të pesë figurave historike – Shën Kirili dhe Metodi, Shën Naumi i Ohrit, Shën Klimenti i Ohrit dhe Car Samoili.
Gjithashtu miratoi disa rekomandime për ndryshime në tekstet e historisë për klasën e gjashtë në Maqedoni dhe për klasën e pestë në Bullgari. Por ajo që mbeti si “refren” ishte se “Komisioni është ende i ngecur në mesjetë”.
Asgjë nuk sqarohet, vetëm kontestohet
Në opinionin shoqëror bullgar tashmë ka sugjerime për panevojshmërinë e atij Komisioni Historik, sepse mendohet se nuk mund të zgjidhë asgjë. Sugjerime të tilla dolën shumë përpara mbledhjes së djeshme të Komisionit. Në një kolumnë në “24 Çasa”, autori Ivan Todorov ka ndarë disa nga dilemat e tij lidhur me ekzistimin e Komisionit. Ai nuk i kundërshton tezat bullgare për origjinën e maqedonasve, por beson se “pasi tashmë është formuar vetëdije kombëtare te një pjesë e konsiderueshme e maqedonasve si popull më vete, përpjekjet për t’i bindur ata përmes presionit se ata janë bullgarë ose se ata kanë qenë bullgarë, vetëm shkakton që maqedonasit të kthehen kundër Bullgarisë”.
“Nuk e di se sa injorant duhet të jesh nga e drejta dhe historia ndërkombëtare për të nënshkruar një marrëveshje ku nga historianët maqedonas, të cilët kanë punuar për të justifikuar se Maqedonia nuk ka asgjë të përbashkët me Bullgarinë, të kërkohet që ta pranojnë të kundërtën. Si mund të nënshkruash një marrëveshje në të cilën gjërat nuk sqarohen, por krijohet një komision për të kontestuar!? Ajo marrëveshje është shumë e ngjashme me marrëveshjen e Bullgarisë me fqinjët e saj para Luftës Ballkanike, ku ishin paraparë territore kontestuese në Maqedoni, e që çoi në Luftën Ndëraleate”, kritikon Todorov.
Sipas tij, e kaluara e përbashkët mund të zgjidhet në një mënyrë të thjeshtë.
“Ne donim t’i detyronim ata t’i ndryshojnë tekstet e tyre shkollore. E si ndryshohet një tekst shkollor i një botuesi privat nën sundimin e lirisë së fjalës. Një tragjedi e plotë. E kaluara e përbashkët mund të zgjidhet në një mënyrë jashtëzakonisht të thjeshtë. Secili nga të dy vendet mund të theksonte 3 të vërteta historike me nga 10-15 fjalë secila. Dhe me 10 fjalë të tjera mund të theksohej se nga cili burim historik janë. Secili prej vendeve mund të merrte përsipër t’i transmetonte ato fjali për shembull 7 herë në oraret më të shikuara të televizionit të tyre publik. Kështu, çdo qytetar i të dy vendeve do të mund të nxjerrë përfundimet përkatëse”, thotë ai.
Një ulçër që po i helmon marrëdhëniet
Radomir Çollakov, jurist, deputet i GERB-it në disa përbërje parlamentare dhe kryetar i Komisionit parlamentar për çështje kushtetuese në Kuvendin e 49-të popullor, shkruan në “24 Çasa” se i pëlqen teza e Todorovit se marrëveshjet nënshkruhen për zgjidhjen e çështjeve kontestuese dhe jo për krijimin e tyre.
“Ai komision është krijuar, jo për të zgjidhur çështje historike, por për të mos i zgjidhur kurrë. Të jetë një ulçër konstant, i cili do t’i helmojë të gjitha marrëdhëniet mes dy vendeve – ekonomike, diplomatike, transportuese, të të gjitha llojeve. Më falni, por unë mendoj se nëse ai komision nuk është përfshirë në Marrëveshjen në fjalë për shkak të mendjemadhësisë akademike të ndonjërit prej autorëve të saj nga pala bullgare, do të thotë se është përfshirë qëllimisht. Dikush do të thoshte se është kryer një “sulm hibrid” ndaj marrëdhënieve bullgaro-maqedonase. Sulmi megjithatë është një akt i njëhershëm. Komisioni historik është një “fushë e minuar hibride”, në të cilën çdo temë në një moment të caktuar mund të hedhë në erë çdo përpjekje për përmirësimin e klimës mes dy vendeve”, vlerëson ai.
Flet edhe për ndërrimin e anëtarëve nga pala maqedonase.
“U dëgjua se pala maqedonase ka ndërruar anëtarët e saj në Komisionin Historik, me atë që përfaqësuesit e saj të rinj qenkan edhe më të vendosur në bindjet e tyre se të mëparshmit. Tani, nëse pala bullgare dëshiron të tregojë karakter, ne duhet të heqim dorë nga pjesëmarrja në seancat e atij komisioni dhe të propozojmë që ai të mbyllet (…) Në atë lojë budallaqe dhe të dëmshme, më i mençuri duhet të lëshojë pe”, sugjeron Çollakov.
Mina e re – Arqipeshkvia e Ohrit
Në tekstin me titull “Skema hibride i përkeqësojnë marrëdhëniet tona me Shkupin”, Çollakov thekson se Komisioni së shpejti do të përballet me një fushë të re të minuar, duke theksuar se Kisha në Maqedoninë e Veriut ka problem me emrin, sepse KOB në kushtetutën e saj e përcakton veten si pasardhëse ligjore të Arqipeshkvisë mesjetare të Ohrit.
“Dhe ja përsëri një arsye për një kontest – prej nga do të na e vjedhin maqedonasit edhe arqipeshkvinë e Ohrit, kur ajo është e jona (…) Pse të mos lejojmë që ta vjedhin atë emër? (…) Sa herë që do ta quajnë kishën e tyre Arqipeshkvia e Ohrit, do të dëgjojnë fjalët e Vasilit II se ajo është bullgare, e ata janë bullgarë. E përmend këtë sepse mina hibride e radhës, e cila do të gjëmojë, është për Arqipeshkvinë e Ohrit. Çfarë do të ndodhë nëse ne veprojmë në mënyrë jo standarde dhe u themi maqedonasve: Mbajeni atë emër me shëndet”, thekson ai. Ai beson se i njëjti qëndrim duhet të jetë edhe ndaj Komisionit Historik dhe të thotë– “Ne po dalim nga komisioni, gënjeni sa të doni, mos na pengoni”.
“Për mendimin tim, nëse vendi ynë i afrohet atij maqedonas me të mirë, do të fitojë. Ata kanë nevojë të luftojnë me ne, ne nuk kemi nevojë. Ne do t’i fitojmë të gjitha mosmarrëveshjet nëse ndalojmë me pjesëmarrjen në to,” sugjeron ai.
- LEXO: Takimi i Komisionit për çështje historike në atmosferë konstruktive, takimi i ardhshëm deri në fund të vitit në Sofje, vlerësoi Gjorgjiev
- LEXO: Përfundoi takimi i Komisionit të përbashkët historik, është biseduar për disa çështje teknike dhe protokollare
- LEXO: Ish-anëtarët e Komisionit Historik ankohen për presione, Mickoski paralajmëroi hetim për honoraret