Kina dhe Kanadaja do të hakmerren me hyrjen në fuqi të tarifave të Trumpit
Kina dhe Kanadaja kanë njoftuar veprime hakmarrëse pasi tarifat e Presidentit Donald Trump kundër Kanadasë, Meksikës dhe Kinës hyjnë në fuqi, transmeton Euronews.
Kanadaja është zotuar të vendosë tarifa prej 25% për importet amerikane me vlerë 150 miliardë dollarë ndërsa Kina ka njoftuar tarifa 10%-15% mbi importet bujqësore amerikane dhe po synon gjithashtu firmat amerikane me veprime hakmarrëse.
Kryeministri kanadez, Justin Trudeau tha se Kanadaja duke filluar nga sot do të zbatojë tarifën prej 25 për qind ndaj produkteve të importuara nga SHBA-ja, transmeton Anadolu.
Trump ka dyfishuar taksën për importet kineze në 20%, në përgjigje të akuzave se Pekini nuk po bën mjaftueshëm për të ndaluar rrjedhën e fentanilit në SHBA.
Presidenti i SHBA tha se taksat e importit do të detyrojnë Kanadanë dhe Meksikën të ndërmarrin më shumë veprime për të frenuar drogat e paligjshme dhe emigrantët që hyjnë në vend.
Ndërkaq, tregjet amerikane ranë dhe tregjet aziatike u tronditën nga mundësia e një lufte tregtare.
Ekspertët kanë paralajmëruar se konsumatorët amerikanë ka të ngjarë të përballen me kosto më të larta për produkte të caktuara.