Këshilli Rinor Nacional i Maqedonisë filloi iniciativën për formimin e Kuvendit Kombëtar Rinor
Me qëllim të themelimit të Kuvendit Kombëtar Rinor dhe Trupit Këshillues Rinor të paraparë në Ligjin për pjesëmarrje rinore dhe politika rinore, më 25.09.2025 në Shkup, KRNM organizoi një takim nismëtar për formimin e Kuvendit Kombëtar Rinor. Në prani të 40 organizatave rinore dhe përfaqësuesve të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë si dhe organizatave ndërkombëtare, u diskutua për gjendjen aktuale dhe sfidat në vendosjen e mekanizmave të përcaktuar me ligj për pjesëmarrjen rinore në nivel kombëtar, si dhe u përcaktuan hapat konkretë dhe dinamika për finalizimin e procesit, transmeton Portalb.mk.
Si rezultat i këtij takimi, organizatat rinore nënshkruan një deklaratë me të cilën konfirmojnë angazhimin e përbashkët për krijimin e mekanizmave funksionalë për pjesëmarrje rinore dhe konkretisht për themelimin e Kuvendit Kombëtar Rinor. Pas takimit, pritet të formohet një trup koordinues që do të ketë për detyrë të zbatojë të gjitha hapat e nevojshëm për nisjen dhe organizimin e kuvendit, si dhe informimin e organizatave rinore dhe institucioneve relevante për rolin e këtij trupi.
“Kjo mbledhje është vazhdim i përpjekjeve që KRNM, së bashku me organizatat tjera ombrellë, Koalicionin SEGA dhe Bashkimin për Punë Rinore, realizoi gjatë vitit të kaluar dhe këtij viti, të cilat kishin për qëllim të nxisin një zbatim më të madh të Ligjit për pjesëmarrje rinore dhe politika rinore dhe t’u jepnin të rinjve mundësinë të përfshihen në mënyrë thelbësore në proceset e krijimit të politikave. Kuvendi Kombëtar Rinor dhe Trupi Këshillues Rinor përfaqësojnë një hapësirë të garantuar ku të rinjtë dhe organizatat rinore mund të ndikojnë në politikat dhe të kontribuojnë në krijimin e programeve që u përgjigjen nevojave të tyre reale. Për të kontribuar në këtë proces, përveç ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit që u dorëzuan këtë vit në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, KRNM përgatiti edhe manuale për vendosjen dhe funksionimin e të dy trupave”, deklaroi Mariana Angelova, Sekretare e Përgjithshme e Këshillit Rinor Nacional të Maqedonisë.
Ky aktivitet është pjesë e projektit “Mekanizma funksionalë për pjesëmarrjen rinore në nivel kombëtar” i mbështetur me grant të Intervenimit Kombëtar nga projekti rajonal “SMART Balkan – Shoqëri civile për një Ballkan Perëndimor të lidhur”, i financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Mbretërisë së Norvegjisë.