Këshilli i Sigurimit i OKB-së në takim urgjent pas sulmit në Rafah

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mbajë të martën një takim urgjent, pas sulmeve izraelite që kanë lënë të vrarë dhjetëra persona të zhvendosur në një kamp në Rafah të Gazës, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Sulmet e së dielës kanë lënë të vdekur 45 persona, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.

Sulmi ka nxitur kritika ndërkombëtare. Shumë shtete arabe e kanë quajtur sulmin si “masakër”.

Izraeli, në anën tjetër, ka thënë se po kryen hetime për këtë “aksident tragjik”.

“Nuk ka vend të sigurt në Gazë. Ky tmerr duhet të përfundojë”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, përmes një postimi në rrjetet sociale.

Shefi i Kombeve të Bashkuara për Çështje Humanitare, Martin Griffiths, ka thënë se përshkrimi i sulmit në Gazë si “gabim”, nuk do të thotë asgjë për personat e vrarë, ata që kanë humbur familjarë, dhe ata që po tentojnë të shpëtojnë.

Mbledhja e së martës është thirrur prej Algjerisë.

Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borell ka thënë se është “i tmerruar nga lajmi” për sulmin në Gazë, derisa presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë se është i “indinjuar”.

Zyrtarë prej Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, kanë thënë se Izraeli duhet të marrë çdo masë të mundshme për t’i mbrojtur civilët.

Ushtria izraelite ka thënë se po kryen hetime për rastin.

Lufta në Gazë ka nisur që në 7 tetor 2023. Si pasojë e sulmeve hakmarrëse janë vrarë më shumë se 36.000 palestinezë në Gazë, kryesisht civilë.