Këshilli gjyqësor, propozim-ligji e kaloi filtrin e parë kuvendor

Komisioni për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive dhe Komisioni juridik-ligjvënës e miratuan nevojën e miratimit të Propozim-ligjit të ri për Këshillin Gjyqësor i cili paraqet bazë për reformë thelbësore në gjyqësor. Propozim-ligji mori mbështetje nga të gjithë anëtarët e komisioneve, duke i përfshirë edhe ata të opozitës, kumtoi Ministria e Drejtësisë, raporton MIA.

Sipas ministrit kompetent Igor Filkov, me propozim-ligjin vendosen themelet e pushtetit gjyqësor të pavarur dhe funksional, që është parakusht për sundimin e ligjit.

“Sot po fillojmë me një sërë ligjesh reformuese – diçka që e kemi premtuar në zgjedhje dhe po ua dorëzojmë qytetarëve. Ligji ekzistues nga viti 2019, sipas të gjitha anlizave relevante – Komisioni Evropian, Departamenti i shtetit, opinioni ekspert dhe sektori civil treguan mangësi serioze: Transparenca e pamjaftueshme gjatë zgjedhjes dhe shkarkimit të gjyqtarëve, Mundësia për ndikim politik, Kriteret e paqarta për zgjedhje dhe vlerësim të gjyqtarëve, Mekanizma joefikas për konfirmimin e përgjegjësisë së anëtarëve të Këshillit dhe të vetë gjyqtarëve, që shpesh herë në të kaluarën çoi në bllokimin e punës së Këshillit, të ndjekur nga skena të pakëndshme në publik, të cilat sigurisht ndikuan në besueshmërinë dhe integritetin e vetë institucionit”, tha ministri Filkov në një shpjegim të projektligjit.

Siç njoftoi Ministria e Drejtësisë, risitë kryesore në ligjin e propozuar sigurojnë transparencë në procedurën për shkarkimin e kryetarit të Këshillit Gjyqësor, specifikojnë për herë të parë kriteret për zgjedhjen e një “juristi të shquar”, prezantojnë një debat publik gjatë përzgjedhjes së kandidatëve për anëtarë jo-gjyqësorë me qëllim të transparencës dhe llogaridhënies më të madhe, forcojnë kriteret për përzgjedhjen, llogaridhënien dhe shkarkimin e anëtarëve të Këshillit nga radhët e gjyqtarëve. Gjithashtu parashikon një specifikim të qartë të procedurës për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve, por edhe të anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, vendos një detyrim për Këshillin Gjyqësor për të specifikuar, individualizuar dhe shpjeguar vendimet për përzgjedhjen dhe përcaktimin e përgjegjësisë së gjyqtarëve, vendos afate për ndërmarrjen e veprimeve për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve, specifikon bazat dhe procedurën për ankim kundër vendimit të Këshillit Gjyqësor, si dhe zgjidhje të shumta të tjera për përmirësimin e kuadrit të përgjithshëm ligjor në përputhje me rekomandimet e BE-së.

Projekt-ligji për Këshillin Gjyqësor do të jetë në rend dite të seancës kuvendore më 16 dhjetor, njofton ministria e Drejtësisë.

Ndryshe, projektligji për Këshillin Gjyqësor, i cili duhet të kapërcejë dobësitë e zgjidhjes paraprake ligjore bazuar në rekomandimet e Misionit të Vlerësimit të BE-së, në fillim të dhjetorit i është dorëzuar Komisionit Evropian për mendim.

Përndryshe më 17 nëntor, Parlamenti publikoi shpallje për zgjedhjen e një anëtari të Këshillit Gjyqësor për të zëvendësuar Selim Ademin, mandati i të cilit do të skadojë së shpejti, pa miratuar Ligjin e ri për Këshillin Gjyqësor, i cili përcakton kritere më të rrepta për anëtarët që do të zgjidhen nga radhët e juristëve të shquar.