CNVP Maqedoni e Veriut ndau grante prej 160 mijë euro për 13 bashkësi lokale në rajonin e Pollogut dhe Mavrovës

Më 3 nëntor 2023, në Mavrovë, para donatorëve, zbatuesve dhe përfituesve, një ngjarje e madhe mblodhi së bashku aktorët e projektit “Përdorimi i qëndrueshëm i burimeve natyrore në Korab Koritnik, Sharr dhe Alpet Shqiptare”, zbatuar nga CNVP dhe financuar nga PONT. Gjatë ngjarjes, 13 grantmarrës (organizata lokale) nënshkruan marrëveshje me CNVP për të zbatuar një sërë projektesh lokale rreth mbrojtjes së mjedisit dhe biodiversitetit, përdorimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore, produkteve pyjore jo-drunore dhe turizmit bazuar në natyrë, transmeton Portalb.mk.

Në këtë ngjarje folën Nehat Ramadani, drejtor i CNVP, Hristina Oxhaklieska, zëvendës ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Maqedonisë së Veriut dhe Mirjam De Koning, Drejtoreshë ekzekutive e PONT.

Në fillim të ngjarjes, Nehat Ramadani, drejtor i CNVP Maqedonia e Veriut, theksoi se “PONT, është donatori ynë strategjik dhe ne po punojmë së bashku krah për krah në disa projekte, duke përfshirë këtë projekt të rëndësishëm transnacional që na solli në këtë ngjarje”.  Ai shtoi se përmes aktiviteteve të projektit po mundohemi të mbrojmë natyrën dhe të shfrytëzojmë burimet natyrore në mënyrë të qëndrueshme.

“Qëllimi është të mbajmë popullsinë në fshatra dhe të ndalojmë emigracionin, t’u mundësojmë banorëve të fshatrave malorë të bëjnë një jetë dinjitoze, të mbajnë veçanërisht të rinjtë në shtëpitë e tyre, por t’i mësojnë ata të jetojnë në harmoni me natyrën”, tha Ramadani.

Në fjalën e saj, Hristina Oxhaklieska, zëvendës ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor theksoi:“Më vjen mirë që projekti “Përdorimi i qëndrueshëm i burimeve natyrore në Korab Koritnik, Sharr dhe Alpet Shqiptare”, i mbështetur financiarisht nga PONT, do të zbatohet në rajon. Unë sinqerisht shpresoj se përmes mbështetjes së ofruar për komunitetet lokale, zhvillimi socio-ekonomik do të inicohet në rajonin e Pollogut dhe Mavrovës dhe do të ofrojë mbështetje të drejtpërdrejtë për organizatat lokale joqeveritare, zonat e mbrojtura, komunat, ndërmarrjet e vogla e të mesme dhe komunitetet lokale që veprojnë në rajon”, poashtu theksoi rëndësinë e mbështetjes dhe bashkëpunimit të të gjitha palëve relevante në nivel rajonal në arritjen e menaxhimit të qëndrueshëm të zonave të mbrojtura që ndajmë me vendet fqinje.

Mirjam De Koning, drejtoreshë ezekutive e PONT, gjithashtu iu drejtua të pranishmëve duke theksuar se “Zona që na pret sot është kaq e bukur për shkak të mënyrës tradicionale të jetesës dhe bujqësisë nga banorët vendas. Për të ruajtur biodiversitetin, është shumë e rëndësishme të sigurohet stimuj për komunitetet lokale në mënyrë që ata të mund të vazhdojnë të ruajnë këtë peizazh të jashtëzakonshëm. PONT falënderon ekipin e CNVP për të gjithë punën e bërë. Ne e dimë se sa punë është një proces i tillë. PONT përgëzon të gjithë fituesit e kësaj thirrjeje të hapur dhe pret me padurim rezultatet. Ju uroj fat të gjithëve!”

Skema e nën-granteve është një nga komponentët e projektit për të bashkuar përpjekjet me organizatat lokale për të arritur objektivat e projektit të lartpërmendur. Nga thirrja e parë publike e CNVP në Maqedoninë e Veriut, 13 përfituesit e nën granteve (do të marrin gjithsej 160,000 euro mbështetje të drejtëpërdrejtë financiare. Përveç kësaj, poashtu është siguruar bashkëfinancim nga përfituesit. Përfituesit e nën granteve janë organizata lokale me rrënjë në zonat e mbrojtura të Parkut Kombëtar Mali Sharr dhe Parkut Kombëtar të Mavrovës. Fituesit e granteve i janë nënshtruar një procesi përzgjedhës shumë konkurrues, gjatë thirrjes së hapur për aplikime të mbajtur më 10 korrik 2023.
Marrëveshjet individuale u nënshkruan me secilin përfitues të ndjekur nga një ekspozitë e 13 projekteve fituese. Ekspozita i dha secilit prej përfituesve mundësinë për të prezantuar shkurtimisht projektin e tyre, aktivitetet e tyre kryesore dhe rezultatet e pritura. Qëllimi i ekspozitës ishte që të ketë komunikim të drejtpërdrejtë interaktiv ndërmjet përfituesve dhe mysafirëve, duke ofruar mundësinë për të mësuar në detaje rreth 13 projekteve që do të zbatohen në zonat e mbrojtura të Sharrit dhe Mavrovës.

Nga sot, përkushtimi i CNVP Maqedonia e Veriut për mbrojtjen e mjedisit, shfrytëzimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore dhe turizmin e bazuar në natyrë do të forcohet me 13 organizata shtesë (përfituesit e nën-granteve), të cilët së bashku do të punojnë drejt qëllimeve të projektit.

Projekti “Përdorimi i qëndrueshëm i burimeve natyrore në Korab Koritnik, Sharr dhe Alpet Shqiptare” po zbatohet nga zyrat e CNVP Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria dhe financiarisht e mbështetur nga PONT.

Projekti rajonal filloi zbatimin më 1 shtator 2022 dhe do të zgjasë deri më 31 gusht 2025. Qëllimi kryesor i projektit është promovimi i përdorimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore duke ofruar dhe mbështetur komunitetet lokale për të krijuar një jetë më të mirë socio-ekonomike në harmoni me natyrën, dhe projekti synon të ofrojë mbështetje të drejtpërdrejtë për organizatat lokale joqeveritare, zonat e mbrojtura, komunat, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe komunitetet tjera lokale që veprojnë në rajonin e Pollogut dhe Mavrovës (Maqedonia e Veriut).