Kërkesë politike apo ekzistenciale, Qeveria RMV-së dhe Sindikata në anë të ndryshme lidhur me pagën minimale prej 450 euro

Pagat e funksionarëve më të larta për 78 përqind përfshihen në zgjidhje ligjore, vendimi nuk do të tërhiqet edhe pse u kritikua ashpër kur VMRO-DPMNE në pushtet ishte në opozitë. Kryeministri i vendosur që nuk do të ketë rritje të reja të pagave në administratën publike, raporton Zëri i Amerikës.

Rritja e pagës minimale në 450 euro në 100 ditët e para të Qeverisë nuk dihet nëse do të realizohet. Ka gjasa që kjo shumë të mbetet vetëm një premtim pasi Qeveria dhe Sindikata e Maqedonisë (LSM) u gjendën në anë të ndryshme në lidhje me kërkesën për rritje të pagës minimale në vend. Kryeministri Mickoski shprehu dyshime për bashkëpunim të mundshëm ndërmjet Sindikatës dhe opozitës dhe prapavijë politike në kërkesën për paga më të larta.

Mickoski tha se e kupton nevojën për paga më të larta, por në ribalansin e buxhetit gjithçka është e pastër dhe nuk janë paraparë para për pagë minimale më të lartë. Ai tha se së shpejti do të ketë një takim me përfaqësuesit e sindikatave.

“Në më pak se dy muaj të punës së një Qeverie, shoh një sulm të sinkronizuar, do të thosha një sulm në kundërshtim me ligjet dhe etikën dhe parimet dhe gjithçka tjetër nga kryetari i Lidhjes së Sindikatave dhe kryetari i partisë më të madhe opozitare dhe kjo më bën të mendoj se këtu ka një prapavijë politike. Secili nga ne jeton nga paga, nuk jetojmë me provizione, nuk jetojmë nga tenderë kriminale, nuk jetojmë nga qendra tregtare, nga fabrika marijuane, ne nuk jetojmë nga këto gjëra, ne të gjithë jetojmë nga pagat tona, të paktën ne që jemi këtu. Edhe unë do kisha dashur që paga të ishte 5 mijë euro, por deri aty duhet të arrijmë duke e pasur parasysh situatën në Buxhet siç e lanë dhe harmonizimet e paparashikuara sipas marrëveshjeve kolektive, që duhej të rregulloheshin tani me ribalansin. Por në të njëjtën kohë do të përmend se po këtë sindikatë e ka gënjyer ministrja e atëhershme e punës dhe politikës sociale”, tha kryeministri Mickoski.

Rritja e pagave të funksionarëve për 78 përqind, diçka që VMRO-DPMNE-ja e kritikoi ashpër në ditët e saj opozitare, do të përfshihet në zgjidhje ligjore dhe vendimi nuk do të tërhiqet. Do të korrigjohen koeficientët dhe nuk do të ketë rritje të re të pagave të punonjësve të administratës publike.

“Ajo rritje prej 78 përqind do të përfshihet në një zgjidhje ligjore që së shpejti do të gjendet para deputetëve, përfshirë këtu të gjitha ato paga që janë niveluar sipas një koeficienti të caktuar dhe janë pjesë e pagave që i marrin punonjësit e administratës publike. Ju siguroj se funksionarët nuk do të kenë rritje shtesë edhe pse ka një vendim ligjor dhe nivelim në përputhje me ligjin vitin e ardhshëm. Me kërkesën time personale, në seancën e ardhshme të qeverisë do të marrim vendim që kjo të mos bëhet”, tha Mickoski.

Sindikatat dje zyrtarisht kërkuan nga Qeveria përmbushjen e premtimit dhe rritjen e pagës minimale në 450 euro në njëqind ditët e para. Si argumente ata theksuan se shporta minimale e konsumatorit nga fillimi i vitit është më e shtrenjtë për katër mijë e gjashtëqind denarë, pagat minimale në rajon po rriten dhe Maqedonia sërish do përballet me eksod të punëtorëve nëse paga minimale mbetet e njëjtë.

“Rreth 35 mijë punonjës në shtet punojnë për pagë minimale ose për paga deri në pagën minimale. Nëntë mijë punonjës marrin paga nga një denar deri në 22.576 denarë, që jo vetëm që është kundërligjore dhe jo njerëzore, por është edhe vepër penale që e kryen punëdhënësi. Për këtë arsye mendoj se 35 mijë punonjës meritojnë rritje të pagave, si dhe të gjithë punonjësit e tjerë. Lufta për pagën minimale është që asnjë punonjës të mos paguhet me pagë minimale, por ajo të jetë baza nën të cilën nuk do mund të paguhet paga në shtetin tonë”, tha Sllobodan Trendafillov, kryetar i LSM.

LSM-ja ka kërkuar që kërkesa për tërheqjen e vendimit për rritjen e pagave të funksionarëve për 78 përqind e dorëzuar në Kuvend në gusht të vitit të kaluar, të “nxirret nga sirtari” dhe të vihet për shqyrtim para deputetëve.

Ndryshe, të dhënat e fundit statistikore tregojnë për rritje të re të shpenzimeve për jetesë në Maqedoninë e Veriut, e cila ndikon edhe tek inflacioni. Në kulmin e verës, çmimet tejet të larta në restorante dhe hotele, shpenzimet e larta për transport, mjekim dhe banim e mbajnë inflacionin në një nivel shumë të lartë.