Keqpërdorimi me Ozempik: Nga ilaç për diabetin, në trend për humbje peshe

Në kërkim të një zgjidhjeje të shpejtë për të hequr qafe kilogramët e padëshiruar, njerëzit shpesh tundohen të eksplorojnë territore të panjohura, duke shpresuar të zbulojnë një zgjidhje më të shpejtë që kundërshton praktikat konvencionale mjekësore. Një trend i tillë alarmues në kohët e fundit është përdorimi i Ozempik për humbje peshe pa recetë, transmeton Portalb.mk.

Ilaçi Ozempik është menduar për trajtimin e pacientëve të rritur me diabet tip 2, i cili jepet në farmaci vetëm me recetë të mjekut. Ai u zhvillua për të rregulluar nivelet e sheqerit në gjak në pacientët me diabet të tipit 2 dhe shkakton reaksione biologjike që ndikojnë në qendrën e ngopjes në tru, e cila redukton oreksin, ul nivelin e sheqerit në gjak dhe ka një efekt kardioprotektiv.

Por pavarësisht kësaj, ka një tendencë të përdorimit të papërshtatshëm të barit. Gjithnjë e më shumë njerëz po e përdorin atë vetëm për t’u dukur më mirë fizikisht, pa bërë më parë një provë klinike.

Me stilin e jetës moderne dhe aksesin në mediat sociale dhe forumet e bisedave, njerëzit po gjejnë mënyra për të aksesuar ilaçin pa recetë. Meta.mk ka kontaktuar me një person të cilit i është lënë numri i telefonit në një grup në Facebook dhe kur e kemi telefonuar na ka thënë se Ozempik e shet për një shumë prej rreth 12.000 denarë, dozë e përshtatshme për humbje peshe për një periudhë prej një muaji. Personi me të cilin folëm nuk na pyeti nëse ilaçi ishte me recetë, por vetëm na dha udhëzime për përdorimin e tij dhe na informoi se doza duhet të rritet gradualisht.

Ndryshe, me recetë të mjekut, ky ilaç në barnatore mund të blihet për rreth 6000 denarë dhe të paktën teorikisht u përshkruhet personave që vuajnë nga diabeti.

MALMED (Agjencia për Barna dhe Pajisje Mjekësore e RMV-së) paralajmëron se blerjet nga burime të panjohura janë rreptësisht të ndaluara me Ligjin për Barnat dhe Pajisjet Mjekësore. Nga Agjencia thonë se nuk mund të garantojnë cilësinë e barit. MALMED së fundi njoftoi se ilaçi Ozempik, i cili shitet në Maqedoni pa recetë, është fals.

Shitjet dhe sasitë e Ozempik në vend janë të kufizuara dhe mund të blihen vetëm në farmaci të caktuara dhe ky proces monitorohet nga MALMED.

“Sipas të dhënave për konsumin e barnave, në vendin tonë në gjysmën e parë të vitit 2023, ilaçi Ozempik është lëshuar në një sasi mesatare prej 1500 skutula në muaj (sipas kërkesës së tenderit) për pacientët me diabet të tipit 2 sipas të përcaktuarit rreptësisht me kriteret dhe indikacionet vetëm në barnatore për insulinë”, thonë nga MALMED për Meta.mk.

Ata gjithashtu theksojnë dhe vënë në dukje rëndësinë e blerjes së barnave nga burime të autorizuara, të përshtatshme të furnizimit për të përdorur barna me cilësi dhe siguri të dëshmuar të miratuara me ligj.

Lidhur me përdorimin e Ozempik për humbje peshe, Meta.mk ka kontaktuar me doktor Taner Hasan, mjek endokrinolog në Spitalin e Përgjithshëm të qytetit “8 Shtatori”, i cili ka përsëritur se ilaçi është i dedikuar për personat që kanë diabet dhe obezitet.

“Personat që planifikojnë të përdorin ilaçin, fillimisht duhet të kontrollohen në qendrat e varësisë nga ekspertët. Pas kësaj, duhet të kontrollohet nëse ka vërtet indikacion për përdorimin e ilaçit. Më tej duhet monitoruar pacienti dhe të kontrollohet nëse terapia është efektive apo ka efekte anësore”, thotë mjeku endokrinolog dhe shton se bari nuk guxon të përdoret nga fëmijët nën 12 vjeç, pacientët me probleme mendore, kancere, retinopati diabetike (retina e dëmtuar e syrit për shkak të diabetit) ose pankreatiti kronik.

Ai gjithashtu këshillon që nëse pacienti nuk humb më shumë se 5 për qind të peshës gjatë 3 muajve, atëherë terapia nuk funksionon dhe nuk duhet vazhduar dhe thotë se gjatë asaj periudhe duhet të monitorohen parametrat biokimikë nga gjaku dhe veçanërisht i kushton rëndësi funksionit të pankreasit. Nëse ka një rritje të enzimave të pankreasit, terapia duhet të ndërpritet menjëherë.

Dr. Hasani gjithashtu ka paralajmëruar njerëzit në rrjetet sociale që të kenë kujdes kur blejnë këtë ilaç, veçanërisht nëse është blerë nga Kosova.

Përdorimi i këtij ilaçi te njerëzit e shëndetshëm mund të ketë efekte anësore si të vjella dhe të përziera, por në raste ekstreme mund të shkaktojë tumore të tiroides, pankreatit, ndryshime të shikimit, hipoglicemi, probleme të fshikëzës së tëmthit, dështim të veshkave dhe kancer. Sipas CNN, pak kohë më parë një numër personash dëshmuan për efektet anësore që përjetuan pas përdorimit të barit “Ozempik”, veçanërisht për problemet gastrointestinale, diçka që dikur ngriti alarmin se ky ilaç nuk duhet të merret kokë më vete dhe pa mbikëqyrje mjekësore.

Aktualisht, në disa vende të botës si Britania e Madhe, Irlanda dhe Australi, ilaçi është në deficit pikërisht për shkak të blerjes së ilaçit për humbje peshe në vend të trajtimit të diabetit të tipit 2.