Ministria e Shëndetësisë RMV: Me sindikatat u ra dakort që nga shtatori të zgjidhet çështja e pagave

Ministria e Shëndetësisë mbështet përpjekjet e shoqatave sindikaliste të mjekësisë për një sistem më të mirë shëndetësor, si dhe shërbim shëndetësor më efikas për pacientët, thonë nga resori i Fatmir Mexhitit, pas njoftimeve të djeshme për protesta të mundshme dhe kërkesa për harmonizim të pagave në shëndetin publik, transmeton Portalb.mk.

Ministria thekson se në takimin e fundit ministri Mexhiti me kryetarin e Sindikatës së Qendrës Klinike, Dr Predrag Serafimovski dhe me dr. Lubisha Karanfilovski, ka biseduar për gjendjen në shëndetësi, gjatë së cilit u përmendën më shumë ideja në lidhje me Qendrën klinike, specializimet, kushte më të mira pune për punonjësit e shëndetësisë dhe zhvillimin e tyre profesional.

“Në takim u ra dakord që nga shtatori të mbahet një takim pune, ku do të shtjellohen më hollësisht disa çështje aktuale, duke përfshirë llogaritjen dhe pagesën e pagave në sektorin e shëndetësisë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Të bashkuar në kërkesat e tyre, Sindikata e Qendrës Klinike dhe Bordi Nismëtar për themelimin e një organizate të re sindikale thanë se gjendja në shëndetin publik është alarmante dhe se po kërkojnë urgjentisht rregullimin e pagave, pasi disa nga punonjësit e klinikave marrin paga nën minimalen. Kërkesat tashmë i kanë dërguar në Ministri dhe në Fondin e Shëndetësisë dhe nëse nuk marrin përgjigje adekuate, bëjnë të ditur se janë të mundshme edhe protesta.

“Kërkojmë që paga e gushtit të përshtatet me atë minimale. Nëse kjo nuk zgjidhet, para rritjes së shpallur në shtator, do të fillojmë të përdorim të gjitha ligjet dhe rregulloret, kjo do të thotë se mund të ketë padi private dhe kolektive ndaj Fondit të Shëndetësisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe në përputhje me anëtarësimin, me konsultime mund të fillojnë edhe protestat”, theksoi kryetari i Sindikatës së Qendrës Klinike, Predrag Serafimovski.