Këngë, lojëra, valle dhe dasmë autoktone në “Takimet e Rekës së Epërme”

Është i dhjeti vit me radhë që shoqata “Reka e Epërme” nga Gostivari organizon manifestimin tradicional “Takimet e Rekës së Epërme” ku do të improvizohet dasma rekase me tradita, zakone, këngë e veshje, njofton Portalb.mk.

Një festë për të cilën angazhohen krejt rekasit të japin kontributin e tyre me qëllimin që kjo festë të mbetet e pranishme dhe të dëshmojë për traditat e zakonet e kësaj ane.

Me program mbresëlënës ku interpretohen këngë, lojëra tradicionale dhe kultivohen zakonet shqiptare siç është dhe dasma autentike e Rekës së Epërme.

Edhe pse banorët e kësaj ane janë shpërndarë në vende të ndryshme, secili nga atje ku është jep kontributin e vet minimal, sidomos janë entuziastë mërgimtarët që shprehin keqardhjen e tyre të mungesës në një ngjarje si kjo ku ka me qindra vizitorë nga kudo.

Këto takime do të mbahen nesër (4 gusht 2024) në mes Sharrës dhe Qymyrit ( te ambulanta), magjistralja Mavrovë- Dibër me fillim në orën 11.

Vullnetarë të shumtë kanë pastruar dhe rrafshuar vendin për të mundësuar mbarëvajtjen e këtij aktiviteti.

Kryetari aktual i shoqatës dhe njëri ndër iniciatorët Ismail Murati dhe shumë rekas tjerë në mars të vitit 2014 mbajtën takimin e parë të këshillit iniciues të takimeve të Rekës, ndërsa në vitin 2015 është themeluar Shoqata për kulturë “Reka e Epërme”.

Që atëherë përmasat e kësaj ngjarjeje kanë kaluar kufijtë dhe janë atraksion për njerëz që vinë nga të gjitha trevat shqiptare.

Afishe e ngjajres

    Afishe e ngjajres