Katër persona me simptoma të helmimit nga ushqimi përfunduan në spital, AUV mbylli një gjellëtore në Shkup

 

Katër persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Klinikën për Sëmundje Infektive pasi kanë pasur simptoma të helmimit nga ushqimi që kanë ngrënë në një gjellëtore në Vllae të Shkupit. Shërbimet inspektuese të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) kanë kryer inspektim të jashtëzakonshëm në gjellëtore, kanë marrë tampone nga sipërfaqet e punës dhe mostra të ushqimeve të konsumuara nga personat, transmeton Portalb.mk.

“Operatori i ushqimit është urdhëruar të marrë masa parandaluese për pastrimin dhe kryerjen e kontrolleve të jashtëzakonshme sanitare të punonjësve. Inspektorët mbyllën përkohësisht gjellëtoren, në pritje të rezultateve të mostrave të marra për analiza laboratorike. Në kushtet e temperaturave të larta dhe rreziqeve më të mëdha të helmimit nga ushqimi, AUV u bën thirrje operatorëve që të jenë të përgjegjshëm dhe t’u përmbahen parimeve të sigurisë HACCP dhe rregullave të prodhimit dhe praktikës së mirë higjienike për të garantuar ushqim të sigurt për qytetarët dhe për të mbrojtur shëndetin e tyre”, thuhet në njoftimin e AUV-së.

Nga aty rekomandojnë që konsumatorët të jenë blerës të përgjegjshëm dhe t’i blejnë ushqimet nga operatorët e regjistruar.

“Linja telefonike pa pagesë për konsumatorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë 0800 3 22 22 mbetet e hapur për raportimin e shqetësimeve për sigurinë ushqimore. Qytetarët mund t’i paraqesin peticionet në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorëve si personalisht ashtu edhe në formë elektronike në [email protected], thuhet në njoftim.

AUV njofton gjithashtu se shërbimet inspektuese sot kanë urdhëruar edhe asgjësimin e afërsisht dy tonë mish derri të ngrirë me origjinë nga Republika e Greqisë, kontrabanda e të cilit është parandaluar këtë fundjavë nga një ekip mobil i Drejtorisë doganore.