Kallëzim penal për autorin e djeges së veturave të Ambasadës Bullgare, e pranoi fajin

Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzim penal kundër I.D.S i cili dyshohej se ka djegur veturat e Ambasadës Bullgare në Shkup. Ai e pranoi kryerjen e veprës, transmeton Portalb.mk.

Ministria e Brendshme informoi se lidhur me veprën penale “shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, të kryer më 15.06.2026, kur ishin djegur dy automjete diplomatike në pronësi të Ambasadës së Republikës së Bullgarisë në Shkup, SPB Shkup e ka zbardhur plotësisht rastin.

“Dje (16.06.2026), Njësia e Çështjeve Kriminalistike – Qendër dhe Bit Pazar ngriti kallëzim penal me procedurë urgjente kundër I.D.S. (44) nga Shkupi, për shkak të dyshimit të bazuar se ai e ka kryer veprën penale në fjalë”, thonë nga MPB.

Gjatë hetimeve ishin siguruar provat materiale, ndër të cilat edhe incizimet e kamerave të mbikëqyrjes në disa lokacione, si dhe veshjen që i dyshuari e kishte mbajtur në çastin e kryerjes së veprës.

Në stacionin policor, i dyshuari e ka pranuar kryerjen e veprës penale.

Ai është privuar nga liria më 15 maj ndërsa një ditë më vonë, më 16 maj, me propozim të Prokurorisë është dërguar në parapurgim.

Në faqen zyrtare të MPB-së u publikua edhe video ku shihet autori duke djegur dy automjetet dhe më pas duke u larguar nga vendi i ngjarjes.

Incidenti ndodh në një periudhë të ndjeshme të marrëdhënieve mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

Ky incident nuk është i pari i këtij lloji që ndodh ndaj Ambasadës së Bullgarisë në Shkup, pasi më 11 janar 2026 ndodhi edhe një sulm tjetër kur një person i panjohur theu xhamin e derës hyrëse të ambasadës dhe u largua nga vendi i ngjarjes, ndërsa më pas autoritetet e identifikuan dhe e arrestuan të dyshuarin, duke e trajtuar rastin si vandalizëm ndaj misionit diplomatik.