Kabineti i presidentes së RMV-së dhe Komisioni për Mbrojtje nga Diskriminimi nënshkruan Memorandum Bashkëpunimi

Kabineti i presidentes dhe Komisioni për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi nënshkruan sot Memorandumin e Bashkëpunimit, me të cilin konfirmojnë interesimin për vazhdimin dhe forcimin e bashkëpunimit të ndërsjellë në drejtim të promovimit të parimit të barazisë, parandalimit dhe mbrojtjes nga diskriminimi, transmeton Portalb.mk.

Memorandumin e nënshkruan Sekretari i Përgjithshëm i Kabinetit të Presidentes, Gjorgi Bozhinov dhe kryetari i Komisionit për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi, Igor Jadrovski.

“Në bazë të Memorandumit, të dy institucionet do të ndërmarrin aktivitete të koordinuara, qëllimi i të cilave është promovimi i parimit të barazisë, parandalimi i diskriminimit dhe promovimi i gëzimit të barabartë dhe të plotë të të gjitha të drejtave të njeriut dhe lirive themelore të qytetarëve”, thuhet në njoftimin e Kabinetit të presidentes.

Sipas memorandumit, institucionet do të bashkëpunojnë në aspektin e aktiviteteve dhe ngjarjeve të përbashkëta mediatike për çështje strategjike në fushën e barazisë dhe mosdiskriminimit, ofrimin e trajnimeve nga Komisioni për punonjësit në kabinetin për sensibilizimin dhe ngritjen e kapaciteteve për mosdiskriminim dhe barazi, patronazhin e presidentes në organizimin e debateve publike dhe tryezave për miratimin ose ndryshimin e ligjeve dhe politikave në drejtim të promovimit të barazisë, si dhe përdorimin e Zyrave Popullore të Presidentes për organizimin e ngjarjeve dhe aktiviteteve të Komisionit.

Kujtojmë se Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi (KPMD) në Republikës së Maqedonisë së Veriut, me 21 maj prezantoi raportin e vitit 2023 nga shqyrtimi i 599 lëndëve të diskriminimit. Në të është konstatuar se është shënuar rritje e dyfishtë të numrit të ankesave në krahasim me vitin paraprak. Qytetarët më shpesh janë ankuar për diskriminim në media, në punë dhe marrëdhëniet e punës, në sistemin arsimor. Për shkak të mosrespektimit të rekomandimeve të Komisionit janë paraqitur 14 kërkesa për fillimin e procedurave për kundërvajtje ndaj diskriminuesve të identifikuar por vetëm një rast ka pasur epilog gjyqësor.