Javën e ardhshme nis numërimi i votave të diasporës, atyre me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) gjatë javës së ardhshme do të fillojë me numërimin e votave nga votimi jashtë Kosovës, votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta. Kështu ka njoftuar për KALLXO.com, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, derisa ka bërë të ditur se aktualisht, po bëhet vlerësimi i pakove me fletëvotime nga votimi përmes postës.
“KQZ do të fillojë me numërimin e votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave nga votimi jashtë Kosovës. Kjo do të bëhet gjatë javës së ardhshme në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve”- ka thënë ai.
Sipas Elezit, nga data 9 shkurt, kur ka filluar vlerësimi apo verifikimi i pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës e deri më 20 shkurt, këtij procesi i janë nënshtruar 48,018 pako, prej të cilave janë aprovuar 45,004 ndërkaq janë refuzuar 3,014.
“Arsyeja se përse janë refuzuar këto dërgesa, është se ato janë janë dërguar nga persona që janë anuluar gjatë regjistrimit si votues jashtë Kosovës; u mungon dëftesa e regjistrimit; janë dërguar më shumë se një herë; kanë dërguar më shumë se një fletëvotim; etj. Procesit të vlerësimit do t’i nënshtrohen edhe 20,938 pako me fletëvotime”- ka shtuar Elezi.
Ai ka njoftuar se në përgjithësi, gjatë periudhës së regjistrimit, nga 104,924 shtetas të regjistruar për votim jashtë Kosovës, 84,600, ishin regjistruar për të votuar përmes postës dhe 20,324 të tjerë ishin regjistruar për votimin fizik në përfaqësitë diplomatike.
“Nga 20,324 në përfaqësi diplomatike kanë votuar 15,352 votues, ndërkaq në votimin përmes postës KQZ ka pranuar rreth 69 mijë pako me fletëvotime”- ka thënë ai.
Elezi tutje ka njoftuar se numri i zarfeve me fletëvotimeve nga vendvotimet me kusht është 12,801, të cilat gjithashtu do t’i nënshtrohen verifikimit, i cili përfshin krahasimin me listën e votuesve të nënshkruar në vendvotime të rregullta.
Ndërkaq, numri i votave të personave me nevoja të veçanta është 2,597 vota.
Elezi ka thënë se pas përfundimit të numërimit në 38 Qendra Komunale të Numërimit, materialet zgjedhore të vendvotimeve, ku bëjnë pjesë edhe lista e votuesve në të cilën janë nënshkruar qytetarët që kanë votuar, dërgohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
“Një nga punët që bëhet në këtë qendër është edhe skanimi i listës së votuesve të nënshkruar në 2,533 vendvotime të rregullta në ditën e zgjedhjeve. Skanimi i listës së votuesve të vendvotimeve të rregullta është i domosdoshëm para se të fillojmë me numërimin e votave nga vendvotimet me kusht, sepse na ndihmon që të sigurohemi se askush nuk ka votuar dy herë, në vendvotimin e rregullt dhe në vendvotimin me kusht”- ka shtuar ai.
Më pak se 3% e votave të kandidatëve për deputetë kanë mbetur për t’u numëruar deri në përmbyllje të procesit.
KQZ-ja ka bërë të ditur se deri më 20.02.2025, janë numëruar 97.55% e vendvotimeve apo 2,471 nga 2,533.
Në bazë të tabelës së publikuar nga KQZ-ja, komunat në të cilat po vazhdon numërimi i votave janë Prishtina, Leposaviqi dhe Peja.
Këto janë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova i ka mbajtur që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.