Janevska: MASH bën analiza se në cilat shkolla fillore dhe të mesme mund të organizohet mësim me një ndërrim

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska, deklaroi se MASH bën analiza se në cilat shkolla fillore dhe të mesme mund të organizohet mësim me një ndërrim. “Pason periudhë e ndërtimit të kushteve që të mund të realizohet”, tha ministrja. Ajo foli edhe për regjistrimin të fëmijëve në kopshte, duke shtuar se po bëjnë përpjekje për të reduktuar pritjen për regjistrim në kopshtet për fëmijë. Në bisedën për Radio MOF theksoi se kopshtet private janë një nga zgjidhjet e këtij problemi, transmeton Portalb.mk.

“Disa shkolla mund ta realizojnë edhe tani, por ka edhe shkolla që punojnë me dy ose tre ndrime. Aktualisht në Ministri bëhet analizë, pas së cilës, aty ku ka kushte, do të kërkojmë që ato shkolla të punojnë vetëm me një ndrim. Kjo është domethënëse jo vetëm sepse është më e natyrshme që nxënësit të vijnë në mësim të pushuar në mëngjes, por edhe sepse mundëson qëndrim më të gjatë të nxënësve në shkollë dhe realizimin e shumë aktiviteteve shtesë mësimore dhe jashtëmësimore. Kjo praktikë në mbar botën është dëshmuar të jetë shumë e dobishme. Në marrëveshje me Byronë e Zhvillimit të Arsimit, e cila ka hartuar programe mësimore për lëndët e shumta zgjedhore, ato do t’u ofrohen shkollave”, tha ministrja.

Në kopshte, thotë ministrja, ose është problematikë numri i lartë i fëmijëve që kujdesen ose nuk ka fare kopshte. Tashmë jemi dëshmitarë se vetqeverisjet lokale kanë filluar ta zgjidhin këtë problem.

“Plani i Qeverisë së re është që arsimi parashkollor, në të ardhmen, të hyjë në sistemin arsimor nën autoritetin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, e cila do të punojë për të siguruar kushte që më shumë fëmijë të ndjekin kopshtet, si dhe në përshtatje të programeve për veprimtaritë edukative – arsimore në kopshte. Kopshtet private janë një nga zgjidhjet e problemit të pritjes për regjistrim, nuk besoj se do të jenë në dispozicion për të gjithë qytetarëve, por pres që të ulin presionin në kopshtet shtetërore”, tha Janevska.

Ajo shpjegoi se mësimdhënësit mund ta përdorin lirinë në procesin mësimor dhe duke aplikuar metoda të ndryshme, mjete didaktike etj., t’i realizojnë aktivitetet mësimore dhe jashtëmësimore, me qëllim ngritjen e cilësisë së arsimit.

Kujtojmë se Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Byroja e Zhvillimit të Arsimit filluan konsultim publik për programet mësimore nga klasa e shtatë deri në të nëntën, me qëllim që ato të cilat tashmë janë përgatitur të avancohen, ndërsa të rejat që duhet të përgatiten, të përmbajnë sugjerimet, veçanërisht të mësimdhënësve praktikantë, mendimi i të cilëve është më i rëndësishmi në procesin e formësimit të sistemit edukativo – arsimor, thonë nga MASh.