Izraeli filloi operacion tokësor në Liban
Izraeli tha se trupat e tij kanë nisur një operacion “të shënjestruar dhe preciz” tokësor në jug të Libanit, që ka në shënjestër Hezbollahun – grupin militant dhe partinë politike që kontrollon shumicën e jugut të Libanit – që mbështetet nga Irani, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Izraeli nisi këtë operacion tokësor pavarësisht kundërshtimit të Shteteve të Bashkuara në mes të frikës se një veprim i tillë do të mund të nxjerrë jashtë kontrollit ngjarjet në Lindjen e Mesme.
Pavarësisht thirrjeve nga e mbarë bota për uljen e tensioneve, Izraeli është zotuar se do të mbajë presionin ndaj Hezbollahut dhe ka shpallur një zonë ushtarake në disa pjesë të kufirit të tij verior me Libanin.
Hezbollahu është e shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja, ndërkaq Bashkimi Evropian e ka futur në listë të zezë krahun e tij ushtarak, por jo edhe partinë politike. Partia politike e Hezbollahut ka ulëse në Parlamentin libanez.
“Në përputhje me vendimin e udhëheqjes politike, disa orë më parë Forcat e Mbrojtjes të Izraelit nisën bastisje të kufizuara, lokalizuara dhe shënjestruara tokësore bazuar në informacionet precize kundër caqeve terroriste të Hezbollahut dhe infrastrukturës në jug të Libanit”, tha ushtria izraelite në një deklaratë të publikuar në orët e vona të 30 shtatorit.
“Këto caqe gjenden në fshatrat afër kufirit dhe paraqesin kërcënim për komunitetet izraelite në veri të Izraelit”.
Javëve të fundit, Izraeli ka kryer sulme intensive ajrore ndaj Hezbollahut, përshirë sulme me raketa që kanë vrarë udhëheqësin e kamotshëm të grupit, Hassan Nasrallah, por edhe kanë marrë jetën e shumë udhëheqësve të Hezbollahut dhe anëtarëve të tjerë të grupeve të sanksionuara militante.
Zyrtarë të lartë të Hezbollahut kanë thënë ditëve të fundit se luftëtarët e grupit janë “gati nëse Izraeli vendos të hyjë përmes tokës”.
Nisja e operacionit tokësor erdhi disa orë pasi presidenti amerikan, Joe Biden, u pyet nëse pajtohej nëse Izraeli do të ndërmerrte një veprim të tillë në Liban, tha: “Jam i qetë nëse ata ndalojnë. Na duhet një armëpushim tani”.
Pas rritjes së tensioneve Shtëpia e Bardhë tha se Uashingtoni beson se mënyra e vetme që të ketë një armëpushim mes Izraelit dhe Libanit është përmes një zgjidhjeje diplomatike.
Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot, duke folur në Bejrut më 30 shtator, po ashtu i bëri thirrje Izraelit që të “përmbahet nga çdo inkursion tokësor” dhe të arrijë një marrëveshje armëpushimi. Ai po ashtu i bëri thirrje Hezbollahut që “të bëjë të njëjtën gjë dhe të përmbahet nga çdo veprim që me gjasë do të çojë në paqëndrueshmëri rajonale”.
Sulmet izraelite në Liban dhe Jemen kundër rebelëve Huthi, që mbështeten nga Irani, dhe pretendimet e Hezbollahut dhe ka gjuajtur në Izrael raketën e re “Nour” – që sipas vëzhguesve mund të jetë një raketë balistike – rritën frikën se në Lindjen e Mesme mund të ketë një luftë në shkallë të plotë.
Në orët e vona të 30 shtatorit, sulmet ajrore izraelite goditën periferitë në jug të Bejrutit, duke shkaktuar shpërthime të mëdha, pasi ushtria izraelite paralajmëroi civilët që të largoheshin nga tri ndërtesa specifike që tha se do të shënjestronte. Këto ndërtesa gjendeshin në lagje me popullsi të dendur.
Ndaras, Irani ka deklaruar se nuk do të dislokojë forca në Liban apo në Rripin e Gazës për të luftuar kundër Izraelit, në kohën e intensifikimit të sulmeve kundër Hezbollahut në Liban.
“Nuk ka nevojë për dërgimin e forcave vullnetare shtesë të Republikës Islamike të Iranit”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Nasser Kanani më 30 shtator. Ai shtoi se Libani dhe luftëtarët në territoret palestineze “kanë aftësi dhe forcë të mjaftueshme për të mbrojtur veten kundër agresionit”.
Deklarata e Kananit erdhi pasi Naim Qassem, zëvendësshefi i Hezbollahut, tha përmes një video-mesazhi se “shumë shpejt” do të gjendet një zëvendësues për Nasrallahun.
Në mesazh, ai tha se përzgjedhja do të bëhet sipas procedurave të rregullta të Hezbollahut, duke mos dhënë më shumë detaje.
Nasrallah u vra javën e kaluar gjatë një sulmi ajror izraelit në qendrën komanduese jugore të Hezbollahut.
Ushtria izraelite po ashtu ka zgjeruar sulmet e saj kundër grupeve militante që mbështeten nga Irani, duke sulmuar qytetin-port të Hodeidës në Jemen, që është nën kontrollin e rebelëve Huthi, dhe po në të njëjtën kohë ka intensifikuar sulmet ajrore në jug të Bejrutit dhe në pjesë të tjera të Libanit.
Humbjet e përjetuara nga Hezbollahut duket se janë më të mëdhatë që kur Garda Revolucionare Islamike e Libanit ndihmoi në krijimin e këtij grupi militant më 1982, me qëllim që të luftohej një pushtim izraelit i Libanit.
Nasrallah i ishte bashkuar Hezbollahut për të luftuar në atë konflikt dhe më 1992 ishte bërë udhëheqës i tij, duke e bërë grupin forcën më të fuqishme ushtarake dhe politike të Libanit.