IShP: Qëndrimi i vazhdueshëm në ajër të kondicionuar shkakton probleme me frymëmarrjen

Ndryshimet e papritura të temperaturës dhe lagështisë së ajrit kanë efekt negativ në sistemin e frymëmarrjes – gulçim, tharje fyti, kollë e thatë dhe irrituese, teshtitje, simptoma të ngjashme me gripin ose ftohje. Përveç kësaj, përdorimi i vazhdueshëm i kondicionerëve shoqërohet me shfaqjen e simptomave nga trakti i sipërm respirator dhe rëndimin e rinitit kronik, sinusitit dhe faringitit, acarimit dhe ngjirjes së zërit, infeksioneve të veshëve, madje edhe sëmundjeve të stomakut. Kështu thuhet në rreziqet e qëndrimit në hapësira me ajër të kondicionuar në shtëpi apo në vendin e punës, të cilat janë publikuar nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP), transmeton Portalb.mk.

Nga aty paralajmërojnë për rreziqet, por edhe për përfitimet e kondicionerëve.

“Rreziqet përfshijnë tharjen dhe acarimin e mukozave. Kondicionerët mund të shkaktojnë ose intensifikojnë problemet e syve si konjuktiviti dhe blefariti dhe të shkaktojnë probleme me thjerrëzat te njerëzit që i përdorin ato rregullisht. Mund të shkaktojnë parezë të muskujve. Kondicionerët përkeqësojnë efektet e artritit dhe neuritit. Me qarkullimin e vazhdueshëm të ajrit, agjentët shkaktarë të sëmundjeve infektive mund të transmetohen në organet e frymëmarrjes. Pluhuri, grimcat organike dhe kërpudhat mund të shkaktojnë reaksione alergjike”, thuhet në njoftimin e ISHP-së.

Për sa i përket përfitimeve, thuhet se vapa e fortë ndikon negativisht në aktivitetin mendor dhe fizik të njeriut dhe përdorimi i kondicionerëve i përmirëson ato deri diku gjatë muajve të verës.

“Klimatizimet përmirësojnë dhe rrisin nivelet e rehatisë në punë dhe pushim. Ato përmirësojnë efikasitetin e punës dhe mund të rezultojnë në rritjen e aktivitetit fizik dhe intelektual. Temperatura më e ulët zvogëlon praninë e parazitëve, insekteve, zvarranikëve. Temperatura më e ulët kontribuon në më pak djersitje, ulje të humbjes së lëngjeve dhe ulje të rrezikut të dehidrimit. Një sistem i pastër ajri i kondicionuar ndihmon në largimin e alergeneve të jashtme si pjalmi. Nëse pajisja e ajrit të kondicionuar është e mirë dhe e mirëmbajtur, rikthen dhe përmirëson cilësinë e ajrit në ambientin e brendshëm”, thekson ISHP.

Prandaj, ata rekomandojnë që dhomat me ajër të kondicionuar të ajrosen rregullisht.

“Instalimi dhe mirëmbajtja profesionale është thelbësore si për kondicionerët qendrorë ashtu edhe për kondicionerët e njësive të brendshme dhe të jashtme. Është më mirë të ruani një temperaturë dhome midis 21º dhe 25ºC. Megjithatë, gjatë valës së të nxehtit, temperatura e dhomës nuk duhet të jetë nën 25ºC. Është e nevojshme të ruhet lagështia relative e dhomës midis 60 përqind dhe 70 përqind. Kondicionerët duhet të pastrohen dhe dezinfektohen rregullisht dhe siç duhet, mundësisht dy herë në vit para stinës së dimrit dhe verës”, thuhet në rekomandime.

Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Mbrojtjen e Mjedisit (USEPA ose ERA) paralajmëron se përqendrimi i grimcave ndotëse në ajrin e brendshëm mund të jetë më i lartë se ai në ajrin e ndotur në mjedisin e jashtëm. Kjo rrit ndjeshëm rrezikun për njerëzit me probleme të frymëmarrjes dhe sëmundje kardiovaskulare që kalojnë një pjesë të kohës brenda.

“Klimatizimi, sipas ERA, mund të kontribuojë në ndotjen dhe përhapjen e baktereve, mykut, viruseve, polenit dhe sekrecioneve. Ashtu si në rastin e shumë sëmundjeve të tjera, grupi i rrezikut janë fëmijët, adoleshentët, gratë shtatzëna dhe të moshuarit, veçanërisht ata me sëmundje të frymëmarrjes dhe sistem të dobët imunitar. IShP rekomandon rregullimin e trupit për të paktën 15 minuta në një dhomë me një temperaturë më afër temperaturës së jashtme. Ju mund ta bëni këtë, për shembull, duke fikur kondicionerin, duke qëndruar në një dhomë më të ngrohtë e kështu me radhë”, theksojnë nga ISHP.

Kujtojmë se IShP ka rekomanduar që në ditët kur moti është i nxehtë si tani, qytetarët të konsumojnë ushqime “të lehta” dhe cilësore. Nga aty sqarojnë se kur bën vapë është më mirë t’i përmbahemi vakteve të lehta, të larmishme, të ekuilibruara dhe të rregullta, të përbëra nga ushqime të stinës. Ushqimet me përmbajtje të lartë uji do t’ju ndihmojnë gjithashtu t’ju mbajnë të hidratuar në motin e verës, transmeton Portalb.mk.