Irfan Ahmeti dhe Borçe Stamenov janë fituesit e çmimit shtetëror “Nënë Tereza” 2025

Doktori Irfan Ahmeti nga Klinika Universitare e Endokrinologjisë dhe Borçe Stamenov nga “Dhuro Kompjuterë” janë fituesit e çmimit shtetëror “Nënë Tereza” për vitin 2025, transmeton Portalb.mk.

Kështu ka vendosur Bordi për ndarjen e çmimit shtetëror “Nënë Tereza” për arritje veçanërisht të rëndësishme me interes për shtetin në fushën e humanizmit dhe solidaritetit njerëzor dhe për inkurajimin, promovimin e mirëkuptimit të ndërsjellë dhe zhvillimin e bashkëpunimit, si midis kombeve ashtu edhe midis anëtarëve të komuniteteve, kulturave dhe feve të ndryshme.

Çmimi do t’u dorëzohet fituesve më 26.8.2025 në orën 11:00 (e martë) në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Ky çmim më së shumti dy herë mund të jepet brenda një viti.

Shuma në para e çmimit shtetëror “Nënë Tereza” është pesë (5) rroga mujore mesatare në Republikën e Maqedonisë së Veriut të paguara në tre muajt e fundit të vitit aktual.