Instituti Francez në Shkup më 23 shtator do të hapë sezonin e ri kulturor

Instituti Francez në Shkup informon se do të fillojë sezonin kulturor me instalacionin dhe takimin artistik të titulluar “Frika nga dashuria”, i cili do të mbahet të martën, më 23 shtator 2025, duke filluar nga ora 19:00, në Institutin Francez në Shkup, transmeton Portalb.mk.

Autore e instalacionit është artistja Klelija Zhivkoviq, dhe kuratore është Melody Robin.

Eventi do të pasohet nga një bisedë midis artistes, kuratores dhe publikut rreth procesit krijues dhe punës.

“Ky instalacion është një mundësi për t’u njohur me punën e artistes transdisiplinore Zhivkoviq, praktika artistike e të cilës formohet përmes përvojave teorike, materiale dhe eksperimentale të barrierave personale, fizike, psikologjike, emocionale dhe shpirtërore që një person has ndërsa njihet me veten si një qenie që ka nevojë për hapësirë ​​për kontakt me mjedisin.

Instalacioni “Frika nga dashurinë” përcjell lidhje të padukshme përmes tre elementëve: tingullit, endjes dhe pranisë fizike. Artistja krijon një instalacion që simbolizon kordonin umbilikal, përmes të cilit përshkruhen lidhjet tona personale – me brezat e kaluar dhe me të tashmen, me ata që na rrethojnë këtu dhe tani, ose, siç shpjegon kuratorja Melody Robin: “Ky kordon umbilikal fton audiencën ta prekë atë, të hyjë në të, të bllokohet në nyjet e butësisë, dhunës dhe dorëzimit”, informojnë nga Instituti.

Kordonat e endura mbajnë peshën e rolit historik të grave si endëse të jetës në këtë botë.

Përmes këtij instalacioni, Klelija Zhivkoviq pyet: çfarë lloj botësh ndërtojmë rreth vetes? Dhe çfarë ndodh kur heqim dorë nga kontrolli, duke lejuar që dashuria të shfaqet në forma të lira nga frika?

Si pjesë e angazhimit të saj ndaj skenës lokale të artit, Instituti Francez në Shkup fillon sezonin kulturor me këtë vepër, duke vazhduar të organizojë ekspozita dhe takime artistike me artistë nga skena vendase.