Institucionet e RMV-së për ushqimet gjatë të nxehtit: Hani pemë dhe perime me përmbajte të lartë uji, shmangni mishin

Në ditët kur moti është i nxehtë si tani, rekomandohet që qytetarët të konsumojnë ushqime “të lehta” dhe cilësore, njofton Instituti i Shëndetit Publik (IShP). Nga aty sqarojnë se kur bën vapë është më mirë t’i përmbahemi vakteve të lehta, të larmishme, të ekuilibruara dhe të rregullta, të përbëra nga ushqime të stinës. Ushqimet me përmbajtje të lartë uji do t’ju ndihmojnë gjithashtu t’ju mbajnë të hidratuar në motin e verës, transmeton Portalb.mk.

“Konsumoni perime me përmbajtje të lartë uji, si domatet, kastraveca, lakra etj. Merrni më pak kalori. Konsumoni vakte me bazë të lëngshme si supa dhe zierje. Konsumoni fruta, veçanërisht shalqi, pjepër, pjeshkë, kajsi. Gjatë valës së të nxehtit, duhet të shmangni ngrënien e mishit ose ushqimeve të pasura me proteina. Tretja e proteinave kërkon një kapacitet më të madh tretës, i cili krijon nxehtësi”, informon ISHP.

Si ta përgatisni lëkurën për ekspozimin në diell përmes ushqyerjes së duhur?

IShP thotë se një gamë e gjerë studimesh kanë treguar se disa vitamina (B3, C dhe E), karotenoidet, acidet yndyrore dhe polifenolet mund të zvogëlojnë rrezikun e djegies nga dielli, duke mbrojtur kështu lëkurën.

“Marrja e një shumëllojshmërie frutash dhe perimesh është baza për lëkurë të shëndetshme dhe elastike. Acidet yndyrore omega-3, vitamina B3 dhe astaxanthin – këta përbërës në peshk kanë një efekt pozitiv në reduktimin e skuqjes nga djegia nga dielli, shërimin e plagëve dhe përmirësimin e mbajtjes së lagështisë, duke reduktuar kështu shfaqjen e rrudhave. Si burimi më i pasur i zakonshëm me origjinë shtazore për këta tre përbërës janë: salmoni, skumbri, harenga, sardelet, karkalecat. Por nuk do të “gaboni” me llojet e tjera të peshqve”, thekson Instituti.

Si burimi më i pasur i zakonshëm me origjinë jo shtazore për omega 3, vitamina B3 dhe astaksantina janë produktet e arrave si arrat, lajthitë, bajamet, fëstëkët, etj.

Domatet, kajsitë, pjepri, rrushi, pjeshkët, shalqinjtë dhe boronicat janë burimi më i pasur i zakonshëm i likopenit, bioflavonoideve, vitaminës A, C, E (“vitamina e bukurisë”) në ushqim.

“Duke konsumuar këto ushqime, ju mund të reduktoni proceset inflamatore të lëkurës, të shkaktuara nga veprimi i rrezeve të dëmshme UV, duke neutralizuar kështu efektet e dëmshme të ekspozimit në diell. Nga ana tjetër, me beta-karoten, lëkura merr më shpejt një ngjyrë më të errët, zvogëlohet edhe mundësia e alergjisë nga dielli dhe sigurisht një kontribut i rëndësishëm në plakjen më të ngadaltë të së njëjtës. Mirëpo, për efektivitetin e beta-karotinës, e me këtë edhe përgatitjen në kohë të lëkurës për rrezitje, duhet të rritet marrja 2-3 muaj para verës”, thonë nga ISHP.

Gjëja e rëndësishme që duhet të theksohet, thonë ata, është se beta-karoteni duhet të merret në formën e tij natyrale, domethënë nga ushqime si frutat dhe perimet portokalli dhe perimet me gjethe jeshile të errët, sepse në këtë moment është më efektiv.

“Rekomandojmë ushqime që e përmbajnë në sasi të mëdha, si: karotat, kajsitë, pjeshkat, mango, shalqinj, pjepër, spinaq, marule, lulelakër, brokoli”, shtojnë ata në ISHP.