India me paralajmërim për Facebookun dhe YouTuben

Qeveria e Indisë ka paralajmëruar në fundjavë gjigantët e rrjeteve sociale, Facebook dhe YouTube, që t’u kujtojnë përdoruesve se ligjet lokale i ndalojnë ata të postojnë përmbajtje të falsifikuara dhe që përhapin dezinformata, raportoi të dielën Reuters, transmeton Koha.net.

Paralajmërimi u përcoll nga zëvendësministri i IT-së, Rajeev Chandrasekhar, në një takim me dyer të mbyllura ku ai tha se shumë kompani nuk i kanë përditësuar kushtet e tyre të përdorimit pavarësisht rregullave të vitit 2022 që ndalojnë përmbajtjen “të dëmshme” për fëmijët, apo të tilla të turpshme.

Ky paralajmërim ndodh mes shqetësimeve në rritje për “deepfakes” – video që duken reale, por janë të fabrikuara nga algoritme të inteligjencës artificiale.

Gjatë një samiti virtual të vendeve të G20 të mërkurën, kryeministri indian Narendra Modi u bëri thirrje liderëve globalë që të punojnë së bashku drejt rregullimit të AI-së dhe ngriti shqetësime mbi ndikimin negativ të “deepfakes” në shoqëri.