Ibraim Kazimi përmes ekspozitës “Balada e Mirënjohjes”, sjell portrete të rilindasëve dhe kolosëve të emancipimit politik e kulturor të kombit
Të shtunën më (6 shtator), me fillim nga ora 19.00, në hapësirat e Galerisë së Arteve në Tetovë- Hamami i Vjetër, artisti Ibraim Kazimi sjell para publikut një ekspozitë të veçantë, të titulluar “Balada e Mirënjohjes”. Përmes kësaj ekspozite, Kazimi sjell një reflektim artistik mbi ndjenjën e falënderimit, respektit dhe kujtesës, duke i shndërruar emocionet njerëzore në ngjyra e forma të pasura. Ekspozita synon të zgjojë tek vizitorët jo vetëm admirimin për artin, por edhe një ndalesë të brendshme për të menduar mbi vlerat shpirtërore që shpesh mbeten në heshtje, shkruan Portalb.mk.
Ibraim Kazimi për Portalb.mk tha se përmes kësaj ekspozite synon të rizgjoj empatitë e një “momentum”, mallëplotë të rinjohjes.
“Në traditën tonë popullore, trashëgimia e miteve dhe epet historike, jo rrallë janë bartje fabulash me akte ku rinjohja kurorëzon tërë dramacitetin e peripetive kolektive, si pasoja të rrethanave politike e sociale të kohës. Ndërkaq, përderisa “bota e re”, përqendrohet në zgjerimin e “aurës”, socio-filozofike të konceptit egocentrik të individualizmës, marrëdhëniet e ndërnjerëzore pësojnë pësojnë defekte serioze tëhuajësimesh. Mbase, përmes toneve figurative të ngarkesës lirike të vet simbolikës së “baladës”, synova të rizgjojë empatitë e një “momentum”, mallplotë të rinjohjes”, tha Kazimi.
Ai edhe më tej shtoi se kjo ekspozitë, është shuma e portreteve të rilindasëve dhe kolosëve të emancipimit politik e kulturor të kombit.
“Ideja për ekspozitë është një vendim spontan, që në fakt pasoi nga meditimet dhe rezymetë përgjatë ndejave dhe kontakteve me miq. Sa nga aspekti i brengosjeve të përbashkëta, se po shkëputemi nga sistemi i vlerave, po aq edhe nga droja se mosëmirnjohja si dukuri simptomatike, po na e tkurr shpirtin historik të dashurisë për liri dhe për tjetrin. Po. Kjo ekspozitë, respektivisht, është shuma e portreteve të rilindasëve dhe kolosëve të emancipimit politik e kulturor të kombit. Megjithëse, lajtmotivi që ngjizi këtë ide, zëfill me një detyrim timin të kahmotshëm për mësuesin tim të parë, në shkollën fillore-z. Vebi Lushin. Njeriut që i kam borxh opusin tim intelektual dhe ideor. Përndryshe, kolosit dhe veteranit të burgut famëkeq të “Goli Otokut””, tha Kazimi.

Ai gjithashtu tha se artit dhe relevanca e saj në aspektet shoqërore, përfshinë një dimension poliedrik, që thuajse është e pamundur të pasqyrohet në mënyrë lakonike.
“Mbi artin, kam shkruar shpesh. Ndërkaq, mbi marrëdhëniet e artit dhe relevanca e saj në aspektet shoqërore, përfshinë një dimension poliedrik, që thuajse është e pamundur të pasqyrohet në mënyrë lakonike. Por, ja, po tentoj që përmes një fragmenti, të shkëputur nga esetë që kam publikuar më herët, të ilustroj së paku një gjymtyrë nga universi i definisioneve mbi artin: “…Arti zbret si proviniencë mbidimensionale e pushtetit të frymës së trinisë së: spirituales, reales dhe sureales, përmes shëmbëllesës së artikullimit fizik- si qëllim final i manifestimit të kodeve të ekzistencës””, tha Kazimi.
Për rolin ndikues të artit te njerëzit, Kazimi solli një element, shumë pak të përmendur në opinion dhe kuloaret shkollore.
“Për rolin ndikues të artit tek njerëzit, po ju sjell një element, shumë pak të përmendur në opinion dhe kuloaret shkollore. Filozofët dhe artistët e Greqisë antike, shpjegonin se skulpturimi i Kariatideve dhe profileve perandorake, në shtylle panteonesh, jorastësisht kthehej me fytyrë kah sheshet dhe rruga; por, enkas me idenë e “gdhendjes”, respektivisht kultivimin e shijes estetike (artistike) të kalimtarit”, tha Kazimi.
Kazimi tha se do ta joshte pafund përshtypja se ekspozita të ketë përcjellë një mbresëlënie të regjenerimit të ndërgjegjes dhe vetëdijes.
“Gjithmonë kam pasur bindjen se, vizitorët, krahas sinergjisë frymëzuese që ofron akti dhe përceptimi; si dhe tundimit reciprok të sfidimit estetik e filozofik, mes instancës së subjektit dhe objektit, mendoj se satisfaksioni kulturor është ekuacion e baraspeshës së ndërsjellë emocionale e intelektuale. Do të më joshte pafund përshtypja se ekspozita të ketë përcjellë një mbresëlënie të regjenerimit të ndërgjegjes dhe vetëdijes, mbi nevojën e paralelizimit të kapitalit të vlerave të trashëguara dhe kapaciteteve e mundësive aktuale që posedojmë, ditëve të sotme”, tha Kazimi.