I morën kalldrëmet, lanë baltën: Komuna e Tetovës për një vit i la pa asfalt rrugët në Çarshinë e Epërme
Disa rrugë në Çarshinë e Epërme në Tetovë vazhdojnë të mbeten të lëna në baltë dhe pa asfalt për rreth një vit, pasi Komuna e Tetovës largoi kalldrëmet për t’i shtruar te Rruga e Butikëve. Banorët ankohen ndërsa komuna premton zgjidhje së shpejti pa treguar se kur konkretisht, shkruan Portalb.mk.
Qytetarët vazhdojnë të ankohen se janë lënë në harresë nga Komuna e Tetovës e cila edhe pse i mori kalldrëmet, nuk i zëvendësoi me asfalt apo begatona.
“Kalldrëmet janë marrë gati 1 vit dhe sot e këtë dit është në gjendje të keqe. Kryetari Bilall Kasami na ka lënë shumë keq, nuk ka vullnet ta zgjidh këtë problem dhe ta asfaltojnë rrugën. Kur është koha e keqe rruga nuk është e kalueshme nga dëmtimi që e kanë bërë. Kemi hasur në vesh të shurdhër. Presin kohën e zgjedhjeve për asfaltim për poenë politike”, tha një qytetar.
Një qytetare tjetër thotë se situata rëndohet më tepër kur ka reshje dhe rrugët bëhen gjithë baltë.
“Na ka ardhur në maje të hundës, kjo seriozisht nuk është në rregull, duhet sa më shpejt ta rregullojnë ashtu si i larguan kalldrëmet, kinse po bëjnë ndonjë punë të hajrit, këndej na lanë në gjendje katastrofike”, tha qytetarja.

Rrugët në të cilat u larguan kalldërmat në Çarshinë e Epërme në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/ Portalb.mk
Gjendja e kësaj rruge ngjalli debat edhe në seancën e fundit të Këshillit Komunal të Tetovës gjatë diskutimit për programin zhvillimor për ndërtim dhe rikonstruim të rrugëve për vitin 2025-2029.
Këshilltari nga BDI, Amet Rexhepi pyeti udhëheqësinë komunale se kur do e zgjidhin këtë problem.
“Kjo rruga ku i morët kockat për te rruga e butikëve, çka u bë, a nuk keni para të hidhni asfalt. Kockat i morët ndërsa rrugën e keni lënë shumë keq, një vit e tepër nuk ka logjikë ajo”, tha Rexhepi.
Ndërsa udhëheqësi i Sektorit për Financa dhe Buxhet, Nuredin Deari theksoi se kjo është në program, por pa theksuar se kur do asfaltohet rruga.
“Marrëveshjet me Qeverinë që i kishim për kredinë hungareze, është në program, prej sot me miratimin e këtyre si projekte dhe rrugë, do të hyn në planin për furnizime publike dhe prej nesër hapet tenderimi për realizimin e asaj si rrugë, besoj që shumë shpejtë do të mbyllet edhe ajo, nuk mund të punojmë në atë rrugë pa mos pasur marrëveshje”, tha dje Deari.
Ndryshe, edhe në të kaluarën qytetarët janë ankuar në Portalb.mk për këtë problem.