Hulumtimi i OSBE Maqedoni: Të rinj të pakënaqur me proceset vendimmarrëse, shqetësuese përhapja e dhunës midis tyre

Sot, Misioni i OSBE-së në Shkup prezantoi gjetjet e hulumtimit me titullin: “Perceptimet, qëndrimet dhe sfidat e të rinjve në Maqedoninë e Veriut”. Evenimenti, që u mbajt në Hotelin Hotel Aleksandar Palace, nxori në pah rolin e rëndësishëm të rinisë në formimin e peizazhit të sigurisë dhe mbrojtjes në vend, transmeton Portalb.mk.

Ambasadori Kilian Wahl, shef i Misionit të OSBE-së në Shkup, hapi evenimentin duke theksuar përkushtimin e Misionit ndaj rinisë dhe duke nënvizuar angazhimin në përpjekjet për paqe dhe siguri.

“Misioni i OSBE-së në Shkup përkrahë rininë në të gjitha dimensionet e punës, duke e pajisur atë me aftësitë e nevojshme, me mundësimin e platformave për të ngritur zërat e tyre dhe duke punuar në trajtimin e çështjeve që i shqetësojnë ata. Zërat e të rinjve janë të rëndësishme për mirëmbajtjen e paqes dhe sigurisë”, tha ambasadori Wahl.

Ai theksoi se hulumtimi paraqet rëndësinë thelbësore për angazhimin e të rinjve, jo vetëm me përfshirjen e këndvështrimeve të tyre, por duke i angazhuar në mënyrë aktive në identifikimin dhe trajtimin e rreziqeve të sigurisë në nivelet lokale dhe kombëtare.

“Së bashku me institucionet shtetërore, rinia duhet të jetë pjesë e procesit të trajtimit të këtyre çështjeve dhe zgjidhjeve të projektimit. Ky hulumtim tenton të jetë pak më shumë se vetëm një koleksion dhe analizë e të dhënave – ky hulumtim, është thirrje për veprim”, shtoi Wahl.

Hulumtimi siguron analizë të detajuar të këndvështrimeve të të rinjve mbi çështjet e sigurisë, duke përfshirë dhunën, ngacmimin kibernetikë dhe margjinalizimin. Zbulon se shumë të rinj në Maqedoninë e Veriut ndjejnë pakënaqësi ndajë proceseve vendimmarrëse dhe nuk kanë besim në përgjigjet institucionale. Për më shumë, gjetjet theksojnë gjithashtu përhapjen shqetësuese të dhunës tek të rinjtë, veçanërisht tek gratë e reja dhe vajzat, duke nënvizuar nevojën për qasje me ndjeshmëri gjinore në politikëbërje.

  • — Të rinjve iu kërkua të vlerësonin sigurinë në vend në një shkallë ku 1 do të thotë aspak e sigurt dhe 5 është plotësisht e sigurt. Vlerësimi mesatar i sigurisë është 3.4, që do të thotë as i sigurt dhe as i pasigurt. Pas kësaj, megjithëse shumica e të anketuarve (54%) e konsiderojnë vendin disi të sigurt ose plotësisht të sigurt (vlerat 4 dhe 5 në shkallë), ka ende 17% të të rinjve që e konsiderojnë vendin një vend jo të sigurt.
  • — Në lidhje me pritjet për sigurinë, të anketuarit janë pyetur për atë se çfarë do të ndodhë me nivelin e sigurisë në vend në pesë vitet e ardhshme. Shumica e të rinjve (56%) besojnë se situata do të mbetet e njëjtë, ndërsa mbi një e katërta (27%) besojnë se situata do të përkeqësohet.
  • — Të rinjve iu kërkua të zgjidhnin se sa të sigurt ndiheshin në vende të ndryshme. Lagjja është vendi më i sigurt për të rinjtë (81% ndihen të sigurt), ndërsa mjedisi digjital është më pak i sigurt (43% ndjehen të sigurt). Vajzat e reja ndihen më pak të sigurta në krahasim me djemtë e rinj.
  • — Sa i përket sigurisë në zonën/qytetin, shumica e të rinjve në rajonin verilindor, veçanërisht në qytetet e Kumanovës dhe Kriva Pallankës, (15%) ndihen të pasigurt në krahasim me rajonet tjera (nga 2% në 9%). Gjithashtu, sa i përket perceptimit të sigurisë në vend, një përqindje më e madhe e të rinjve nga ky rajon ndihen të pasigurt (32%), krahasuar me rajonet e tjera (nga 4% në 12%).
  • — Për sa i përket ndjenjës së sigurisë në vende publike, shumica e të rinjve ndihen pothuajse njësoj të sigurt në transportin publik (53%) dhe në sheshe publike, shtigje për ecje dhe korsi për biçikletë (54%). Megjithatë, përqindja e atyre që ndihen të pasigurt është pak më e lartë në transportin publik (11%) sesa në sheshet publike, shtigjet e ecjes dhe korsit për biçikletë (9%). Ndërsa shumica e të rinjve (57%) ndihen të sigurt në transportin publik, përqindja e vajzave të reja që ndihen të sigurta është më e ulët (48%).
  • — Mungesa e aktiviteteve kulturore dhe sportive (51%) dhe mungesa e mundësive për zhvillim (51%) janë problemet më të mëdha të të rinjve për momentin, pasuar nga papunësia dhe problemet ekonomike, të cilat paraqesin problemet më të mëdha për 49% të të rinjve. Pothuajse një e katërta e të rinjve (24%) mendojnë se siguria në komunitetin e tyre është problemi më i madh për momentin.
  • — Të rinjtë janë më të shqetësuar për krimin e organizuar (vlera mesatare = 7.1 në një shkallë nga 1 deri në 10, ku 1 është më e ulëta dhe 10 është më e larta), të ndjekur nga fatkeqësitë natyrore (vlera mesatare = 6.9) dhe mundësia e shpërthimit të një konflikti të armatosur në Ballkanin Perëndimor (vlera mesatare = 6.7). Shqetësimi më i vogël tek të rinjtë lidhet me grupet e tifozëve që ndonjëherë janë të dhunshëm gjatë dhe pas ngjarjeve sportive (vlera mesatare = 5.7). Vajzat

Pasoi një panel diskutimi, me përfshirjen e aktorëve kyç, zëvendësministrin e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Gjoko Velkovski, zëvendësministrin e Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, kryetarin e Forumit Arsimor Rinor, Risto Saveski dhe zëvendëskryetaren e Sindikatës së Nxënësve të Shkollave së Mesme, Iva Trpeski. Panelistët diskutuan mbi mënyrat e avancimit të këndvështrimeve të të rinjve mbi sigurinë dhe rritjen e dialogut midis të rinjve dhe autoriteteve.

Ky eveniment përfaqëson një hap të rëndësishëm drejtë zbatimit të Strategjisë Kombëtare për Rininë (2023-2027) dhe Planin e veprimit. Misioni i OSBE-së në Shkup mbetet i përkushtuar për të bashkëpunuar me institucionet nacionale për zhvillimin e mekanizmave më efektivë për parandalimin dhe trajtimin e dhunës rinore dhe forcimin e përfshirjes së të rinjve në çështjet e sigurisë.

Raportin e tërë mund ta gjeni online në gjuhën maqedonase, shqipe dhe angleze, në faqen e internetit të Misionit të OSBE-së në Shkup. Perceptions, views and challenges of young people in North Macedonia – Research on Youth and Security | OSCE