Hetim për dy grabitje të kryera nga një 25-vjeçar në Shkup

Prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup ka nxjerrë urdhëresë për kryerjen e hetimeve ndaj një 25-vjeçari nga Bogovina e Tetovës, i cili dyshohet se ka kryer dy vepra penale “grabitje”, transmeton Portalb.mk.

Ai më 12 shtator ka hyrë në një lokal bastesh në rrugën “Nikolla Trimpare” dhe ka kanosur me skalper me jetë një punonjëse dhe nga kasa i ka marrë 211.680 denarë.

Në mënyrë të ngjashme, më 14 shtator, nga një bastore në qendrën tregtare “Leptokaria” ka marrë 80.250 denarë, duke e kërcënuar me skalper një punonjës.

Meqenëse ekziston rreziku i arratisjes, mundësia e pengimit të procedurës dhe përsëritjes së veprës penale, prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake nga Gjykata Themelore Penale Shkup propozim për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin.