Hapi punimet edicioni i 43-të i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Prishtinë

Dje në Prishtinë u hap solemnisht edicioni i 43-të i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, një nga ngjarjet më të rëndësishme akademike në fushën e albanologjisë. Ky seminar, pritet të mbledhë rreth 200 studiues vendorë dhe ndërkombëtarë nga mbarë bota. Seminari do të mbahet për 29 ditë në ambientet e Fakultetit të Filologjisë në Prishtinë, shkruan Portalb.mk.

Pjesë e ceremonisë së hapjes ishte kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ku në fjalimin e tij para të pranishmëve, theksoi rëndësinë themelore të gjuhës shqipe për identitetin kombëtar shqiptar, duke e quajtur atë një “organizëm i gjallë që ruan kujtesën dhe subjektivitetin njerëzor”.

“Gjuha nuk është vetëm komunikim i nevojave, por mbi të gjitha komunikim i subjektivitetit, i kujtesës dhe imagjinatës dhe i kulturës, pra është komunikim qenësor. Në kushtet e zhvillimit të shpejt të Inteligjencës Artificiale gjuha është themeli më solid i ruajtjes së inteligjencës dhe imagjinatës njerëzore e natyrore. Sido që të jetë pasuria jonë shoqërore dhe shtetërore entuziazmi ynë për gjuhën shqipe në kulturën, artin dhe shkencat tona duhet vetëm të rritet, e si kryeministër shpreh gatishmërinë time të mbështetjes së institucioneve që janë drejtpërdrejtë të lidhura me këtë qëllim fisnik e detyrë historike”, ka theksuar Kurti.

Ndërkaq rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, foli për rëndësinë e seminarit si platformë për shkëmbim të dijes dhe për afirmimin e trashëgimisë shqiptare.

Foto nga edicioni i 43-të i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Foto: Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare(Facebook)
Foto nga edicioni i 43-të i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Foto: Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare(Facebook)

“Është gjuha ajo çka na bashkon. Në vitet e ’90-ta e dimë që gjuha shqipe në Kosovë ishte e ndaluar. Ne si universitet jemi krenarë që jemi nikoqirë të kësaj ngjarjeje të rëndësishme. 200 studiues pritet të marrin pjesë në këtë seminar. Kur e shohim seminarin, e shohim se ka pasur prurje të reja shkencore”, theksoi Hajrullahu.

Mehmet Kraja kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, uroi fillim të mbarë për këtë edicion të seminarit, duke theksuar se Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është ngjarja kulturore më jetëgjatë në të gjitha trojet shqiptare.

“Ngjarja kryesore dhe kulturore me jetëgjatësinë më të madhe jo vetëm në Kosovë, por në mbarë hapësirën shqiptare. Ka këtu akoma dëshmitarë siç jam unë dhe të tjerë si unë të atij fillimi të lartë të vitit 1974 kur Qendra e Studimeve për të huaj e mori emrin e seminarit, emër që e ka edhe sot…ne jemi të vetëdijshëm që edhe në punë të organizimit të seminarit, të mësimdhënies, dhe ligjërimit do të jetë e nevojshme të bëhen ndryshime strukturore siç do të jetë e nevojshme që dijet albanologjike përfshirë studimet gjuhësore dhe letrare të braktisin pozitivizmin dhe të zhvillojnë mendimin kritik, por në anën tjetër kam besim se edhe kësaj radhe si çdo herë tjetër deri tani do të merrni me vete përshtypjet më të mira për mikpritjen dhe miqësinë“, ka theksuar Kraja.

Mehmet Kraja kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës
Mehmet Kraja kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës

Programi i Seminarit përfshin gjithashtu kurse intensive të mësimit të gjuhës shqipe në tri nivele, ligjërata të specializuara për gjuhësinë dhe letërsinë, referime shkencore nga studiues vendorë dhe ndërkombëtarë, si dhe një program kulturor për pjesëmarrësit që përfshin vizita në vende historike dhe aktivitete kulturore që lidhen me trashëgiminë shqiptare.

Ceremonia u mbyll me dy pika muzikore në piano nga profesoresha e Fakultetit të Arteve, Lule Elezi, dhe punimet i shpalli të hapura drejtoresha e Seminarit të 43-të, Lindita Sejdiu.