Grupi i ri i vullnetarëve amerikanë të hënën do të vijë në Maqedoninë e Veriut

Të hënën, më 11 shtator, 38 amerikanë do të arrijnë në Maqedoninë e Veriut ku do të shërbejnë si vullnetarë të Korpusit të Paqes. Ata do ta ndajnë përvojën dhe njohuritë e tyre duke shërbyer si vullnetarë nëpër shkolla dhe organizata në vendin tonë, transmeton Portalb.mk.

Drejtoresha e Korpusit të Paqes në Maqedoninë e Veriut, Deborah Conner dhe stafi i Korpusit të Paqes, në aeroport do të mirëpresin grupin e vullnetarëve të rinj.

Gjatë qëndrimit të tyre në Maqedoninë e Veriut, vullnetarët do të punojnë si arsimtarë dhe profesorë të gjuhës angleze, në fushën e zhvillimit të bashkësive në partneritet me shkollat fillore dhe të mesme, me institucionet qeveritare, me komunat dhe organizatat joqeveritare. Korpusi i Paqes është agjencion qeveritar i SHBA-ve dhe i realizon programet e tij në partneritet me Ministrinë për Arsim dhe Shkencë, Ministrinë për Vetëqeverisje Lokale dhe me Ministrinë për Punë dhe Politikë Sociale.

Ky është grupi i 26-të me rradhë i vullnetarëve që do të jetojnë dhe punojnë në shumë fshatra dhe qytete në vendin tonë. Në tre muajt e parë, vullnetarët do të kalojnë nëpër një trajnim përgatitor ku do të përfshihet mësimi i kulturës dhe gjuhës maqedone dhe shqipe, kurse me punë do të fillojnë në fillim të dhjetorit. Që nga viti 1996 në Maqedoninë e Veriut si vullnetarë kanë shërbyer mbi 800 shtetas amerikanë.