Grupi “Blueprint”: Zhgënjyese që propozimi për anëtar të ri të Këshillit Gjyqësor bëhet sipas kritereve të vjetra 

Grupi “Blueprint” për reforma në drejtësi ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me propozimin e një anëtari të ri të Këshillit Gjyqësor nga radhët e juristëve të shquar, të cilët zgjidhen nga Kuvendi, vetëm pak ditë para fillimit të procedurës parlamentare për miratimin e ligjit të ri për Këshillin Gjyqësor, transmeton Portalb.mk.  

“Sado që ndryshimet e këtij ligji janë përgatitur për një kohë të gjatë si rezultat i zhvillimeve të mëparshme dhe me qëllim përmirësimin e përbërjes dhe funksionimit të Këshillit, procedimi i ligjit është zvarritur pa arsye. Vetëm pas shpalljes së thirrjeve për zgjedhjen e anëtarit të ri nga radhët e juristëve të shquar, procedura u përshpejtua në mënyrë të papritur”, thuhet në reagimin e Grupit “Blueprint”. 

Nga aty theksojnë se edhe më shqetësuese është fakti që i gjithë procesi po ndiqet nga bashkësia ndërkombëtare dhe se, në vend të tregimit të pjekurisë institucionale në zbatimin e obligimeve nga Agjenda Reformuese, krijohet perceptimi se këto veprime relativizojnë dhe e minojnë vetë procesin e reformave. 

Rrjeti joformal i organizatave të shoqërisë civile vlerëson se, në vend të një zgjedhjeje të bazuar në standarde të larta profesionale për kriterin “jurist i shquar”, siç parashihet në zgjidhjen e re ligjore, po krijohet rrezik real për rikthimin e praktikave të vjetra dhe gjerësisht të kritikuara. 

Sipas tyre, një qasje e tillë i minon pritjet e publikut se ligji i ri do të kontribuojë në zgjedhjen e profesionistëve të kualifikuar si anëtarë të Këshillit Gjyqësor dhe, njëkohësisht, dëmton drejtpërdrejt besimin në sistemin gjyqësor në tërësi. 

“Në vend që Kuvendi të miratojë ligjin e ri dhe të zbatojë kriteret e përmirësuara, krijohet përshtypja e mospërputhjes në zbatimin e angazhimeve reformuese. Me këtë veprim dëmtohen seriozisht përpjekjet dhe pritjet për afrimin me vlerat evropiane dhe parimin e sundimit të ligjit, i cili është kusht kyç në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Mandati i anëtarëve të Këshillit Gjyqësor zgjat gjashtë vjet, me mundësi rizgjedhjeje, dhe zbatimi konsekuent i kompetencave të tyre është thelbësor për rikthimin e besimit në drejtësi. Cilësia e punës së këtij organi varet drejtpërdrejt nga përbërja e tij kadrovike”, thekson Grupi “Blueprint” për reforma në drejtësi. 

Organizatat qytetare që janë pjesë e Grupit “Blueprint” u bëjnë thirrje deputetëve që, përpara zgjedhjes së anëtarit të ri të Këshillit Gjyqësor, Kuvendi të respektojë angazhimet e veta për përmirësimin e kritereve të përzgjedhjes së anëtarëve nga radhët e juristëve të shquar. Ata kërkojnë gjithashtu miratimin sa më të shpejtë të ligjit për Këshillin Gjyqësor, veçanërisht për shkak të procedurës më transparente dhe më konkurruese të paraparë për zgjedhjen e tyre, krahasuar me praktikën e deritanishme.