Grupi Blueprint për reforma në drejtësi me reagime të ashpra për zhvillimet rreth ndotjes së ujit në Gostivar
Grupi Blueprint për reforma në drejtësi kërkoi hetim të shpejtë, të plotë dhe të pavarur për rastin e ndotjes së ujit të pijshëm në Gostivar, duke vlerësuar se bëhet fjalë për tregues serioz të dobësive të mundshme sistemore dhe jo për një incident të izoluar, transmeton Portalb.mk.
Në reagimin e tyre, ata theksojnë se ndalimi i përdorimit të ujit nga rrjeti i ujësjellësit të qytetit, shpallja e epidemisë dhe vendimi i Qeverisë i 21 korrikut për shpalljen e gjendjes së krizës, hapin pyetje serioze lidhur me përgjegjësinë institucionale dhe nëse janë përmbushur detyrimet ligjore për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.
Sipas Grupit Blueprint, është e domosdoshme të përcaktohet nëse institucionet kompetente kanë pasur ose është dashur të kenë dijeni për ndotjen e mundshme dhe rreziqet për shëndetin publik, por nuk kanë ndërmarrë masa në kohë për ta parandaluar ose kufizuar atë.
“Nëse konstatohet një mosveprim i tillë, ai nuk mund të trajtohet si një lëshim i zakonshëm, por si një shkelje serioze e detyrimit të institucioneve për të vepruar me kujdesin e duhur, në përputhje me parimet e ligjshmërisë, përgjegjësisë dhe mbrojtjes së interesit publik”, thuhet në reagimin e Blueprint.
Ata kërkojnë që Prokuroria Themelore Publike të zhvillojë një hetim të shpejtë, të plotë dhe efikas për të përcaktuar përgjegjësinë penale dhe eventualisht institucionale të të gjithë personave që kanë kontribuar në rrezikimin e shëndetit të qytetarëve.
Sipas tyre, hetimi nuk duhet të kufizohet vetëm në përcaktimin se kush e ka vendosur instalimin e paligjshëm, por duhet të përfshijë edhe funksionimin e sistemit të monitorimit, mbikëqyrjen inspektuese, analizat laboratorike, mënyrën e marrjes së mostrave, si dhe përgjegjësinë e mundshme të personave zyrtarë të ngarkuar me kontrollin e cilësisë së ujit.
Grupi Blueprint vlerëson se, bazuar në informacionet e publikuara në media, krijohet përshtypja se institucionet kompetente nuk i kanë përmbushur detyrimet ligjore, duke lejuar që epidemia të vazhdojë të përhapet pa u kujdesur në mënyrë adekuate për pasojat ndaj shëndetit të qytetarëve.
Njëkohësisht, ata vërejnë se Qeveria dhe institucionet shëndetësore ende nuk kanë ofruar informacione të qarta se sa do të zgjasin kufizimet për përdorimin e ujit, cilat janë kriteret për heqjen e tyre dhe kur mund të pritet normalizimi i gjendjes.
Nga Blueprint theksojnë se qytetarët kanë të drejtë të informohen me kohë për shkaqet e krizës, masat që po ndërmerren, rreziqet për shëndetin dhe rekomandimet për veprim në kushtet e epidemisë dhe të gjendjes së krizës.
Sipas tyre, rasti i ujit të ndotur në Gostivar duhet të përfundojë me përcaktimin e qartë të përgjegjësisë dhe me masa konkrete sistemore për të parandaluar situata të ngjashme në të ardhmen, pasi në të kundërt do të përbëjë edhe një shembull tjetër të reagimit të vonuar të institucioneve në dëm të shëndetit publik dhe besimit në sundimin e ligjit.
Ndryshe, në Gostivar është shpallur epidemi të problemeve gastrointestinale, pas paraqitjes së numrit të lartë të i qytetarëve me simptoma si diarre, të vjella dhe dehidratim.
Kujtojmë se me propozim të Prokurorisë, Gjykata Penale në Gostivar shqiptoi 30 ditë paraburgim për tre të dyshuarve për ndotjen e ujit në sistemin e ujësjellësit në Gostivar. Gjykatësja Dragoslada Veselinova tha se duke pasur parasysh dënimin e paraparë me ligj që iu ngarkohet të dyshuarve sanksionohet me të paktën 4 vjet burg, ndërsa, shtoi ajo nëse lihen të mbrohen në liri, ekziston rreziku që ata të arratisen ose të ndikojnë te dëshmitarët.
Inspektorët e Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, së bashku me policinë dhe përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit, konstatuan se në tubacionin kryesor ishte vendosur në mënyrë të paligjshme një pompë që fuste drejtpërdrejt ujë nga lumi Vardar. Kontrolli u krye pas njoftimit të prokurorit publik për shkak të dyshimeve se uji ishte ndotur, pas ankesave të qytetarëve. Më pas, uji u ndalua për pirje.
Prokuroria Publike më 20 korrik shpalli rezultatet e analizave, të cilat treguan se në ujë kishte pasur 48 herë më shumë baktere se vlerat e lejuara.