Gratë islandeze në grevë kundër padrejtësisë gjinore
Dhjetëra mijëra gra islandeze, duke përfshirë kryeministren, mbajtën grevë nga punët e paguara dhe të papaguara të martën (23 tetor) në një protestë kundër pabarazisë gjinore, sipas sindikatave, raporton Euractiv.
Islanda konsiderohet si një nga vendet më progresive në botë për sa i përket barazisë gjinore dhe ka kryesuar indeksin e hendekut gjinor të Forumit Ekonomik Botëror 14 vjet me radhë.
Por në disa industri dhe profesione, gratë fitojnë të paktën 20% më pak se burrat islandezë, sipas Statistikave të Islandës.
Dyzet për qind e grave islandeze përjetojnë dhunë me bazë gjinore dhe seksuale gjatë jetës së tyre, zbuloi një studim i Universitetit të Islandës.
“Ne po kërkojmë të tërheqim vëmendjen për faktin se ne quhemi një parajsë e barazisë, por ka ende pabarazi gjinore dhe nevojë urgjente për veprim”, tha Freyja Steingrímsdóttir, një organizatore greve dhe drejtoreshë e komunikimit për Federatën Islandeze për Punëtorët Publikë.
Nën sloganin “A e quani këtë barazi?”, gratë islandeze hynë në grevën e tyre të parë plot ditore në 48 vjet. Në vitin 1975, 90% e grave islandeze ndërprenë punën për të protestuar kundër pabarazisë gjinore.
“Profesionet e udhëhequra nga femrat, si shërbimet e kujdesit shëndetësor dhe kujdesi për fëmijët janë ende të nënvlerësuara dhe të paguara shumë më ulët”, tha Steingrímsdóttir për Reuters.
Kryeministrja Katrín Jakobsdóttir u tha mediave islandeze se ajo merr pjesë në grevë dhe nuk do të vijë në punë.