Google fillon bllokimin e cookie në shfletuesin Chrome

Google ka filluar testimin e modifikimeve në mënyrën se si bizneset mund të ndjekin konsumatorët në internet, raporton PCW.

“Cookies” të palëve të treta janë skedarë të vegjël që vendosen në pajisjen tuaj për të gjurmuar aktivitetin e shfletimit, për të mbledhur informacione analitike dhe për të personalizuar reklamat në internet. Një përditësim i fundit në shfletuesin Chrome i heq këto cookie.

Fillimisht 1% e të gjithë përdoruesve në mbarë botën, ose afërsisht 30 milion njerëz, do të shohin cookiet të hiqen nga eksperienca e tyre e shfletimit.

Google thotë se këto janë modifikime provë dhe më vonë këtë vit, është planifikuar heqja e plotë e cookie-ve.

Megjithatë, disa reklamues pretendojnë se kjo do ti dëmtojë ata. Shfletuesi i internetit më i përdorur në botë është Google Chrome.

Rivalët me shumë më pak trafik në internet, si Mozilla Firefox dhe Safari i Apple, kanë marrë masa tashmë për të hequr cookiet.

Google thotë se po punon për ta bërë internetin më privat. Por nga këndvështrimi i shumë faqeve të internetit, cookiet janë një pjesë jetike e shitjes së reklamave nga të cilat varen.

Cookiet mund të përdoren për të regjistruar lloje të ndryshme të dhënash rreth përdoruesve, duke përfshirë: çfarë bëni në faqe, ku ndodheni, çfarë pajisje po përdorni, ku shfletoni në internet më së shumti.