“Goca e Kaçanikut” më 10 shkurt do të mbyllë turneun ballkanik me premierë madhështore në Shkup

Komuna e Çairit, në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Kosovës, sjell në Shkup një ngjarje të rrallë kulturore: operën e parë kosovare “Goca e Kaçanikut”, e cila do të shfaqet për herë të parë për publikun shkupjan më 10 shkurt 2026, në ora 19:30, në skenën e Operës dhe Baletit Nacional. Kjo vepër madhështore, e kompozuar nga Rauf Dhomi dhe me regji të mjeshtrit Nikolin Gurakuqi, vjen në interpretim të solistëve, Korit dhe Orkestrës së Operës së Kosovës, duke sjellë një mbrëmje të veçantë që ngre lart artin operistik shqiptar, historinë dhe mesazhin e qëndresës, shkruan Portalb.mk.

Regjisori Nikolin Gurakuqi për Portalb.mk tha se ‘Goca e Kaçanikut’ nuk është vetëm një shfaqje operistike, por një thirrje për kujtesë dhe krenari kombëtare. Kjo vepër e vendos në piedestal qëndresën e popullit shqiptar për liri dhe rolin e gruas shqiptare si shtyllë e familjes dhe e atdheut. Është i bindur se publiku i Shkupit do ta përjetojë me emocion dhe do ta kuptojë fuqinë e mesazhit që përcjell kjo opera.

“Shfaqja e operës “Goca e Kaçanikut” vjen në Shkup, pas një suksesi të jashtëzakonshëm në Prishtinë, Gjakovë dhe Tiranë gjatë viteve 2024–2025, ku u prit me brohoritje për vetë temën që trajton dhe mesazhin që përcjell. Në Shkup, kjo shfaqje vjen si përmbyllje e turneut ballkanik, por jo si një ngjarje thjesht kulturore. Ajo vjen si një akt i fuqishëm që ngre lart kulturën shqiptare kudo ku shfaqet, duke vendosur në piedestal qëndresën e popullit shqiptar për liri kundër pushtuesve të huaj, si dhe virtytet më të larta patriotike të gruas dhe familjes shqiptare, kur është fjala për mbrojtjen e atdheut”, tha Gurakuqi.

Ai shtoi se sa i përket regjisë, ajo është ndërtuar mbi tre shtylla kryesore: platforma me tre plane, kuinta simbolike, video-projeksione, që nisin që në uverturën e operës dhe përmbyllen në fund të shfaqjes.

“Në planin mizanskenal, regjia ka ndërtuar një lojë dinamike solistike dhe mizanskena të pasura, duke evidentuar qartë karakteristikat më të spikatura të personazheve pozitive, si dhe tiparet më të ulëta të personazheve negative. Këto dy grupe dallohen qartë përmes plastikës, mimikës, psikologjisë dhe lojës skenike”, shton Gurakuqi.

Në qendër të skenave masive, nënvizon ai, regjia ka vendosur figurën e plakut patriot, duke nxjerrë në pah rolin e tij autoritar dhe mobilizues në rezistencën për liri. Një rol të veçantë i është dhënë edhe korit, të cilit regjia i ka dhënë tipare dinamike, luftarake dhe patriotike, duke e shndërruar në një monument rezistence në fund të aktit të parë. Ndërsa në aktin e tretë, regjia krijon paralele me ditët e sotme, duke theksuar se liria ruhet dhe mbrohet nga një ushtri e fuqishme

Afishja e aktivitetit “Goca e Kaçanikut”. Foto: Komuna e Çairit (Facebook)
Afishja e aktivitetit “Goca e Kaçanikut”. Foto: Komuna e Çairit (Facebook)

Ai shtoi se ideja kryesore e regjisë është e qartë: një popull i bashkuar triumfon gjithmonë kundër çdo pushtuesi, sado i fuqishëm të jetë ai.

“Si loja skenike ashtu edhe projeksionet, diksioni, plastika dhe mimika janë ndërtuar me kujdes në shërbim të depërtimit të aksionit dhe mesazhit regjisorial të operës deri te spektatori i fundit. Për këtë arsye, jam i bindur se publiku do ta kuptojë qartë përmbajtjen dhe idetë e veprës. Këtë e kemi dëshmuar edhe në shfaqjet e mëparshme, ku publiku është përfshirë plotësisht në vepër, duke e pritur me duartrokitje frenetike dhe reagim të jashtëzakonshëm emocional. Ideja kryesore e regjisë është e qartë: një popull i bashkuar triumfon gjithmonë kundër çdo pushtuesi, sado i fuqishëm të jetë ai. Po ashtu, mendoj se bashkëpunimi ndër-shtetëror dhe institucional në fushën operistike duhet të jetë diçka krejt normale dhe e qëndrueshme jo vetëm mes Kosovës dhe Shkupit, por mes të gjitha hapësirave shqipfolëse, madje edhe me diasporën. Një meritë e veçantë i takon drejtorit Meriton Ferizi, i cili me vullnet dhe këmbëngulje organizoi këtë turne me pesë shfaqje ballkanike, me shpresën që opera të vazhdojë të shfaqet edhe në diasporë, si një shprehje e fuqishme e diplomacisë kulturore”, tha Gurakuqi.

Tenori Ismet Veseli në faqen e tij zyrtare në Facebook ka shkruar se për atë kjo është një mbrëmje e veçantë, sepse do të interpreton për herë të pestë rolin e Trimorit.

“Me 10 shkurt, për herë të parë opera ‘Goca e Kaçanikut’ vjen në Shkup. Për mua kjo është një mbrëmje e veçantë, sepse do të interpretoj për herë të pestë rolin e Trimorit, një rol teknikisht shumë i vështirë dhe kërkues, që kulmon me notat më të larta për një tenor. Ju ftoj ta përjetoni këtë ngjarje unike nën dirigjimin e Edon Ramadanit dhe regjinë e Nikolin Gurakuqit”, ka shkruar Veseli.