Gjyqi ndaj nëntë policëve në rastin e tragjedisë së Koçanit nisi me seancë përgatitore

Gjyqi ndaj nëntë policëve të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e zjarrit në diskotekën “Puls” në Koçan filloi sot me një seancë përgatitore, transmeton Portalb.mk.

Mbrojtja plotësoi listat e provave, ndërsa disa nga avokatët deklaruan se nuk kanë marrë dokumentacionin e nevojshëm nga Ministria e Punëve të Brendshme për të kryer ekspertiza.

Prokurorja tha se do të prononcohet për të gjitha provat e mbrojtjes pasi të përfundojë lista e plotë e provave.

Prokuroria i akuzon policët se nuk kanë verifikuar nëse diskoteka “Puls” i plotësonte kushtet nga aspekti i komunikacionit, gjë që ishte e domosdoshme për të marrë licencë pune nga Ministria e Ekonomisë.

Zjarri në diskotekën “Pulse” në Koçan ndodhi natën mes 15 dhe 16 marsit 2025. Si pasojë, jetën e humbën 63 persona, ndërsa mbi 200 të tjerë u plagosën.

Hetimi konstatoi një sërë dështimesh sistemike lidhur me funksionimin e paligjshëm të diskotekës. Në procesin më të madh gjyqësor të nisur për këtë tragjedi, janë të akuzuar 35 persona dhe tri kompani. Gjykimi nisi më 19 nëntor 2025 dhe aktualisht është në fazën e dëgjimit të dëshmitarëve.

Mes të akuzuarve janë pronarët e diskotekës, por edhe ish-ministra të ekonomisë, ish-kryetarë të komunës së Koçanit, inspektorë dhe zyrtarë të tjerë. Të gjithë do të gjykohen për të njëjtën vepër penale “shkaktim i veprave të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”.

Përveç këtij rasti, janë hapur edhe çështje gjyqësore për mosveprim të policëve, si dhe një hetim që përfshin edhe persona nga Drejtoria e të Ardhurave Publike.