Gjyqësori në RMV, pa kushte, pa buxhet dhe jo transparent

Gjyqësori si shtyllë themelore e procesit të anëtarësimit në BE, sfidat kryesore dhe perspektiva më e gjerë për reformat ishte në fokusin e panelit kushtuar sundimit të ligjit, në kuadër të Forumit “Europeum 2025” në Shkup, raporton Portalb.mk.  

Mirjana Llazarova Trajkovska, gjykatëse e Gjykatës Supreme theksoi se, gjyqësori duhet të garantojë siguri dhe të krijojë besim në opinion. Është me rëndësi transparenca.  

“Për gjykatësin më i rëndësishëm duhet të jetë ligji dhe nga ligji duhet të udhëhiqet dhe jo nga ndikimet. Është i rëndësishëm, poashtu, zëri i opinionit kur kritikon, por jo kur tenton të ndikojë në aktgjykim. Shkaqet e mosfunksionimit të gjyqësorit: mungesa e buxhetit, varësia nga qeveria dhe kuvendi. Ka mungesë të kushteve elementare, Këshilli Gjyqësor kërkon punëtorë por refuzohet. Si profesion nuk jemi atraktiv, për shkak të kushteve, kritikave ndaj nesh, por edhe për shkak të kërcënimeve”, tha gjykatësja Llazarova Trajkovska.  

Irina Trajkoska Trajkoska Strezoski, drejtore e Akademisë për gjykatës dhe prokurorë publik diskutoi për mënyrën e organizimit të trajnimeve dhe testeve në akademi. 

“Bëjmë trajnime për integritet dhe etikë. Përgatisim module, sipas kërkesës dhe nevojave nga gjykatat dhe prokuroria. Si akademi kemi kapacitete të organizohemi edhe nëse ka kërkesë për më shumë testime”, tha drejtoresha.  

Aleksandra Cvetanovska, këshilltare e posaçme në Ministrinë e Drejtësisë, u lavdërua se institucioni po punon me përkushtim.  

“Punojmë në kthimin e besimit në gjyqësor. Organizata të ndryshme janë të përfshira në proces. Kemi formuar Këshill mbikëqyrës që të ndjek zhvillimin e gjyqësorit. Po hapërojmë jo ngadal, por substancialisht”, theksoi Cvetanovska.  

Ndërkaq, Darko Avramovski, drejtor i koalicionit “Të gjithë për gjykim të drejtë” porositi përfaqësuesit e gjyqësorit se vendimet duhet në mënyrë të qartë të sqarohen.  

Gjyqësori duhet të jetë i hapur dhe transparent. Vullnet për ndryshime mund të ketë, por kur ka pengesa prandaj duhet edhe disiplinë. Ne kemi dështuar në disiplinë. Kemi humbur orientimin. Duket se mungon buxhet për gjyqësorin, por mungon edhe plan real se si duhet të realizohet buxheti. Nuk mjafton vetëm vullneti për avancimin e punëve.  

Kujtojmë se, ky nuk është debati i parë dhe i fundit ku theksohet mungesa e kuadrove në shërbimet e gjyqësorit, nevoja për transparencë më të madh nga gjyqësori si dhe sfidat me presionet ndaj gjyqësorit. I shqetësuar për zhvillimet në gjyqësor është shprehur edhe raportuesi i Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut, Tomas Vajc.

Kujtojmë se gjyqësori në Republikën e Maqedonisë së Veriut nuk po i jeton ditët më të mira profesionale. Presioni i pushtetit ekzekutiv ndaj gjyqësorit është evident dhe i regjistruar edhe nga organet ndërkombëtare. Kritikat dhe rekomandimet e Raportit të progresit të cilin e publikon Komisioni Evropian çdo vit për Maqedoninë e Veriut, hasin në vesh të shurdhër. Kapituj e tituj të tërë për paanshmëri, pavarësi e departizim të institucioneve shtetërore, sidomos në fushën e sundimit të ligjit, assesi të gjejnë zbatim në praktikë.