Gjykata vendosi: Sulmuesi i Danella Arsovskës nga arresti shtëpiak në burg

Gjykata Penale sot ka vendosur që sulmuesit të kryetares së Shkupit, Danella Arsovskës, arresti shtëpiak t’i zëvendësohet me arrest me burg, transmeton Portalb.mk.

“Fillimisht iu caktua arresti shtëpiak. Megjithatë, këshilli konsideron se rrethanat sipas nenit 470, paragrafi 1, pikat 1 dhe 2 të Kodit të Procedurës Penale, përkatësisht rreziku i ikjes dhe rrethanat që justifikojnë se ai mund ta përsërisë veprën penale, vazhdojnë, dhe për këtë arsye urdhëroi që ai të paraburgoset në procedurë të shkurtuar”, njoftoi Gjykata Themelore Penale e Shkupit.

Pas dorëzimit të vendimit, nga Stacioni kompetent i Policisë është marrë njoftim se personi tashmë është dërguar në Burgun e Shkupit.

Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, u sulmua fizikisht më 11 korrik rreth mesditës në Çair të Shkupit, pranë “rrugës së plastikave”. Ndaj sulmit të saj ka reaguar edhe Komiteti i Helsinkit dhe Rrjeti Kombëtar Kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje.

Arsovska së fundmi ka qenë në “gjueti të ndërtimeve pa leje” në Komunën e Çairit, duke i dokumentuar ato dhe duke i publikuar në profilin e saj në Facebook përmes video-mesazheve. Ajo madje ka kërkuar ndihmë edhe nga faktori ndërkombëtar.