Qytetarët jetojnë në varfëri kurse Qeveria e RMV-së do harxhojë 1.8 milionë euro në Beograd, alarmoi ASh-ja e Taravarit
Elfete Ismaili nga Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit ka ngritur alarmin për situatën gjithnjë e më të rëndë ekonomike në vend, duke theksuar se qeveria nuk ka marrë asnjë masë për të ndalur varfërimin e qytetarëve, transmeton Portalb.mk.
“Në kulmin e krizës, Qeveria e Maqedonisë së Veriut planifikon të harxhojë 1.8 milionë euro nga buxheti i shtetit për EXPO-n e Beogradit 2027, për logo, karrige, akomodime e promovime. Kjo është një tallje me qytetarët që mezi ia dalin të mbijetojnë”, tha Ismaili.
Ajo theksoi se qeveria ka dështuar dhe qytetarët janë ata që po e paguajnë çmimin e krizës ekonomike.
“Rritja e çmimeve po i godet më së shumti shtresat më të ndjeshme dhe nuk po shihet asnjë plan konkret nga ana e ekzekutivit për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve,” – deklaroi Ismaili.
Ajo theksoi se inflacioni i raportuar për muajin qershor ka arritur në 4.5%, por në realitet gjendja është shumë më e rëndë.
Ismaili tha se qytetarët janë të braktisur dhe se politika qeveritare është tërësisht e shkëputur nga realiteti social.
Qeveria e RMV-së ka lidhur kontratë në vlerë prej 1.7 milionë euro për hartimin dhe realizimin e përfaqësimit të Maqedonisë së Veriut në panairin EKSPO 2027 që do të mbahet në Beograd.
EKSPO 2027 do të mbahet prej 15 majit e deri më 15 gusht në vitin 2027. Aty pritet pjesëmarrja e 117 vendeve dhe katër milionë vizitorëve.