Gjykata Supreme e ktheu në Gjykatën Penale rastin e Blerim Ramadanit

Gjykata Supreme sot e ka rikthyer në Gjykatën Penale vendimin për mos-ekstradimin në Serbi të ish-ushtarit të UÇK-së Blerim Ramadani, transmeton Portalb.mk.

Sipas Gjykatës Supreme vendimi i Gjykatës Penale është i paqartë dhe i pakuptimtë dhe për këtë kërkon që Gjykata Penale të vendosë sërish për këtë rast.

“Gjykata Supreme e Republikës së Maqedonisë së Veriut sot ka marrë vendim për rastin lidhur me ekstradimin e Blerim Ramadanit, me të cilin aktvendimi i Gjykatës Themelore Penale Shkup është anuluar dhe lënda kthehet në vendim dhe procedurë të re”, njoftoi Gjykata Supreme.

Nga atje theksuan se Këshilli Penal i Departamentit për krim të organizuar dhe korrupsion në Gjykatën Themelore Penale Shkup, me vendimin e tij, konstatoi se nuk janë përmbushur kushtet ligjore për ekstradimin e personit të përmendur.

“Veprimi dhe vendimmarrja e tillë nga gjykata e shkallës së parë sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Maqedonisë së Veriut është e paqartë dhe e pakuptueshme”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Gjykatës Supreme.

Blerim Ramadani u ndalua më 17 korrik në pikën kufitar enë Jazhincë bazuar në një fletëarrest lëshuar nga Gjykata e Beogradit përmes Interpol Serbia.

Ministri serb i policisë, Ivica Daçiq, më 25 korrik, kërkoi nga autoritetet e Shkupit ekstradimin e Ramadanit në Serbi.

Çështja e ekstradimit të tij u ngrit edhe gjatë vizitës së ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, në Shkup më 31 korrik. Sveçla tha se Shkupi duhet të vendosë në mënyrë të pavarur, duke akuzuar Serbinë se tenton të prishë marrëdhëniet midis vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Më 9 gusht, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës njoftoi se Gjykata Themelore Penale në Shkup ka marrë vendim për mosekstradimin e shtetasit të Kosovës, Blerim Ramadani, pasi më 1 gusht ishte zhvendosur që ai të kalon nga paraburgimi në arrest shtëpiak.

Por, më 15 gusht Ramadani u arratis nga arresti shtëpiak nga shtëpia e të afërmve në vend. Ministria e Punëve të Brendshme e RMV-së pas arratisjes dorëzoi fletëarrest qendror.

Ndërsa më 16 korrik Këshilli Gjyqësor mori vendim për formimin e komisionit të posaçëm i cili do të duhet të konstatojë gjendjen faktike në lidhje me vendimet që mori Gjykata Themelore Penale Shkup pak para ikjes së Ramadanit nga arresti shtëpiak

Ramadani, është shtetasi i tretë i Kosovës si ish-ushtar i UÇK-së, i arrestuar në Maqedoninë e Veriut me urdhër të Serbisë.

Kujtojmë që Gafur Dugoli dhe Tomor Morina janë arrestuar edhe në të kaluarën, por me vendim gjykate janë liruar.