Gjykata e Lartë i dha të drejtë administratës së Presidentit Biden në lidhje me median sociale

Gjykata e Lartë i dha të drejtë administratës së Presidentit Joe Biden në çështjen e ngritur nga disa shtete konservatore lidhur me atë se sa shumë mund të ndikojë qeveria federale për të luftuar shkrimet e debatueshme në mediat sociale për tema që përfshijnë COVID-19 dhe sigurinë zgjedhore, raporton VOA.

Në një votim 6-3, gjykatësit hodhën poshtë vendimet e gjykatave më të ulëta që favorizonin Luizianën, Mizurin dhe palë të tjera lidhur me pretendimet se zyrtarët e administratës demokrate i përdorën platformat e mediave sociale për të penguar në mënyrë jokushtetuese pikëpamjet konservatore.

Gjyqtarja Amy Coney Barrett shkroi në emër të Gjykatës së Lartë se shtetet dhe palët e tjera nuk kishin të drejtë ligjore, apo justifikim për të ngritur padi. Gjykatësit Samuel Alito, Neil Gorsuch dhe Clarence Thomas dolën kundër vendimit. Çështja është mes disa rasteve në Gjykatën e Lartë që kanë të bëjnë me mediat sociale dhe lirinë e shprehjes.

Në muajin shkurt, gjykata dëgjoi argumente mbi ligjet e miratuara nga republikanët në Florida dhe Teksas që i ndalojnë kompanitë e mëdha të mediave sociale që t’i heqin postimet në rrjete për shkak të pikëpamjeve të tyre. Në mars, gjykata përcaktoi standartet se kur zyrtarët publikë mund të bllokojnë ndjekësit e tyre në rrjetet sociale.

Rastet mbi ligjet e disa shteteve dhe vendimi i së mërkurës janë variante të së njëjtës tematikë, ankesa se platformat sociale po i censurojnë pikëpamjet konservatore.

Shtetet kanë argumentuar se punonjësit e komunikimit të Shtëpisë së Bardhë, këshilltari i presidentit për shëndetin publik, FBI dhe agjencia amerikane e sigurisë kibernetike janë ndër ata që ushtronin “trysni të pandërprerë” për të detyruar ndryshimet në përmbajtjen e postimeve në platformave të mediave sociale në internet.

Por anëtarët e gjykatës shfaqën skepticizëm ndaj këtyre pretendimeve gjatë paraqitjes së argumenteve në muajin mars dhe disa prej tyre ishin të shqetësuar se komunikimet e zakonshme midis zyrtarëve qeveritarë dhe platformave të mediave sociale mund të ndikoheshin nga një vendim për shtetet.

Administrata e Presidentit Biden i nënvizoi këto shqetësime kur vuri në dukje se qeveria do të humbiste aftësinë e saj për të komunikuar me kompanitë e mediave sociale për postimet antisemitike dhe anti-myslimane, si dhe për çështjet e sigurisë kombëtare, shëndetin publik dhe integritetin e zgjedhjeve.

Gjykata e Lartë kishte vendosur më herët për të mbajtur në fuqi vendimin e një gjykate më të ulët për këtë çështje. Gjykatësit Samuel Alito, Neil Gorsuch dhe Clarence Thomas do të kishin lejuar hyrjen në fuqi të vendimit për kufizimin e kontakteve të qeverisë me platformat e mediave sociale.

Aktivistët e mbrojtjes së lirisë së fjalës i kishin kërkuar gjykatës që ta përdorte çështjen për të vendosur një vijë të përshtatshme midis përdorimit të pranueshëm nga qeveria të platformave të komunikimit dhe kërcënimeve kufizuese ndaj fjalës së lirë.

Një panel prej tre gjyqtarësh në Gjykatën e Apelit në Nju Orleans kishte vendosur më herët se administrata e Presidentit Biden mund të ketë ushtruar trysni antikushtetuese ndaj platformave të mediave sociale. Paneli tha se zyrtarët nuk mund të përpiqen të “nxisin ose inkurajojnë” ndryshime në përmbajtjen e gjërave të publikuara në internet. Paneli kufizoi një vendim të mëparshëm të një gjykatësi federal, i cili donte të përfshinte më shumë zyrtarë qeveritarë dhe të ndalonte inkurajimin e ndryshimeve të përmbajtjes në internet. Çështja në dokumentet e gjykatës titullohet “Murthy kundër Mizurit, 23-411”.